Në Universitetin e Prishtinës, sivjet 6 mijë studentë më pak sesa vjet

Mbi 6 mijë studentë më pak i ka këtë vit Universiteti i Prishtinës krahasuar me vitin akademik 2017/2018.

Derisa para dy vjetësh Universiteti më i madh publik në nivelin bachelor, master e doktoratë i ka pasur 42 mijë e 6 studentë, këtë vit i ka vetëm 35 mijë e 930, raporton KTV.

Fakulteti Ekonomik tash e një kohë të gjatë ka qenë njësia akademike me më së shumti studentë. Sipas dekanit But Dedaj, para tre vjetësh i kanë pasur deri në 13 mijë studentë, derisa këtë vit janë vetëm 5 mijë e 500. Shkak kryesor i uljes së këtij numri, sipas tij, është ikja e studentëve jashtë vendit.

Edhe në Fakultetin Filozofik në vitet e fundit ka rënë numri i studentëve. Sipas të dhënave të Universitetit, në vitin 2017/2018 në këtë njësi akademike kanë qenë 3 mijë e 802 studentë, derisa këtë vit janë 2 mijë e 673 apo mbi 1 mijë më pak.

Prodekani Arben Hajdari ka thënë se edhe pse ka rënë numri, nuk bëhet fjalë për rënie drastike që do ta rrezikonte mbylljen e ndonjë programi studimor.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka bërë të ditur se numri i studentëve të pranuar në vitin e fundit është 8 mijë e 137, derisa për vitin e ri akademik nuk është caktuar ende.

Ndër shkaqet kryesore që i ka identifikuar Rektorati janë: numri më i vogël i nxënësve në shkolla të mesme, emigrimi i të rinjve jashtë vendit dhe rritja e numrit të shkollave profesionale.

Universiteti i Prishtinës ka gjithsej 14 njësi akademike. Fakulteti me më së shumti studentë është ai Ekonomik i pasuar nga Fakulteti Juridik dhe ai i Edukimit.

SHPËRNDAJE