Në UP ndodh edhe kjo: studentët detyrohen të paguajnë semestër në kundërshtim me vendimin e Senatit

Studentë të Fakultetit të Inxhinierisë dhe Elektrikes Kompjuterike (FIEK) ankohen se po detyrohen të paguajnë semestrin edhe pasi kanë përfunduar ligjëratat e rregullta, gjë e cila nuk po ndodh në drejtime të Fakultetit Teknik.

Kreshnik Ramadani, student i studime post-diplomike në FIEK ka thënë për arbresh.info se janë të detyruar të paguajnë semestrin deri sa të kryejnë gjitha provimet.

“Ne e kemi me pagesë deri sa t’i kryejmë krejt provimet, edhe pse kemi shumë studentë me minus një provim pa i përfunduar, disa i kanë nga dy, ka edhe nga ata me tre e me shumë, por shumica jemi kështu me nga pak provime edhe po na kërkohet të paguajmë”, ka thënë ai.

Ramadani ka thënë se studentët të cilët kanë përfunduar ligjëratat nuk duhet ta kenë të obligueshme të paguajnë edhe më tutje semestra.
“Saktë nëse s’ke provime dhe të ka mbetur vetëm tema e Masterit, nuk ka nevojë të paguajë, vetëm që, jo që po na detyrojnë të paguajmë, a normal nuk ish dashtë të paguaj askush i Masterit që i ka përfundua ligjëratat e rregullta”, ka sqaruar Ramadani.

Ai ka thënë se në disa njësi tjera akademike kjo gjë nuk ndodh edhe pse kanë përfunduar ligjëratat.

“Dallimi është tek Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, edhe ata kanë provimet që nuk i kanë kryer por nuk kanë nevojë të paguajnë, për arsye se janë kryer ligjëratat edhe nuk kanë nevojë të paguajnë”, ka përfunduar ai.

Bazuar në vendimin e Senatit të Universitetit të Prishtinës, me Nr.Prot. 2/282, i marrë me dt. 10.10.2017, në piken e VI (gjashte) të këtij vendimi, ndër të tjera thuhet:

Studenti i cili një vit pas vërtetimit të semestrit të fundit nuk i përfundon studimet, sërish e regjistron vitin e studimeve me pagesë;

Vendimi i cekur me lart, është vendim vetëm për studentët e nivelit Bachelor, i njëjti nuk vlen për studentët e nivelit Master, ndërkohë që nga informacionet e siguruara, në disa njësi akademike, studentët e nivelit Master posa t’i përfundojnë ligjëratat, nuk detyrohen të paguajnë semestrin. E njëjta praktikë nuk ndiqet në njësitë tjera. Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, studentët detyrohen të paguajnë semestrin, edhe pse i kanë përfunduar ligjëratat e nivelit të studimeve Master.

fiek-foto-1
Prorektori i Arsimit, Naser Sahiti ka thënë për arbresh.info se ky veprim i Fakultetit të Inxhinierisë, Elektrikes dhe Kompjuterisë bie ndesh me vendimin e Këshillit Drejtues sipas të cilit studentët janë të liruar nga pagesa e semestrit në rastet kur ata kanë kryer obligimet që janë të parapara me program.

“Mund t’ju konfirmoj që vendimi në lidhje me këtë çështje është e kundërta e asaj që janë duke vepruar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike që nënkupton që Vendimi i Këshillit Drejtues i ka liruar studentët e tillë nga pagesa në raste kur ata i kanë përfunduar ligjëratat dhe obligimet që janë paraparë me program por ju ka mbetur vetëm provimet”, ka thënë Sahiti.

Ai ka shtuar se nëse kjo gjë rezulton të jetë e vërtetëatëherë do të marrin masa që në të ardhmen të mos përsëriten.

“Ditëve në vijim do të merremi me këtë çështje pak nga afër do të merremi me Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe do t’i sqarojmë këto dilema që mos të ndodhin këto gjana në kuptimin e mosrespektimin e vendimeve të Këshillit Drejtues”, ka përfunduar prorektori./R.Rexhepi/arbresh.info/

SHPËRNDAJE