Nënë e bir kafshohen për vdekje nga qeni i shtëpisë

Qeni i shtëpisë, i racës Staffordshire-Terrier me emrin “Chico”, ka jetuar tetë vite së bashku me Lezime K. (52 vjeçe) dhe të birin e saj, 27 vjeç, në një banesë me katër dhoma, në Hannover. Ndërsa mbrëmjen e të martës “Chico” i urtë, u bë papritur vrasës i të dyve, shkruan Bild.de.

Të martën në mbrëmje, e bija e Lezimes, 25 vjeçare, po merakosej pasi që nuk mund t’i merrte në telefon nënën dhe vëllanë, transmeton Albinfo.ch. Dikur vajza shkoi te banesa dhe ajo që pa nga dritarja ishte e tmerrshme: vëllai i saj i vdekur, i shtrirë në dysheme. Ajo alarmoi shpejt policinë dhe kur policët erdhën, 25 vjeçarja i paralajmëroi të kishin kujdes nga qeni. Policët me pajisje speciale e neutralizuan qenin dhe e futën në kafaz.

“Mbështetur në hetimet e deritashme ne mund të vijmë në përfundim se qeni ka shkaktuar vdekjen e të dyve”, ka thënë një zëdhënës i policisë. Por mënyra se si ka ndodhur kjo, është ende e paqartë.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

Qentë e racës Staffordshire Terrier konsiderohen si jashtëzakonisht të fuqishëm, luftarakë dhe të patrembur. Fqinjët e kanë dëgjuar shpeshherë këtë qen duke lehur dhe e konsideronin si agresiv, përcjell Albinfo.ch. Ata mendojnë se gruaja e hendikepuar dhe i biri i saj shtatanik (me trup të pazhvilluar) ishin të mbingarkuar me përkujdesjen për qenin.

Para dy vitesh një inspektor për mbrojtjen e kafshëve i kishte vizituar pasi që ishte njoftuar se qeni qëndronte në ballkon dhe nuk dilte pothuaj fare.

Prokuroria ka urdhëruar bërjen e obduksionit të dy viktimave për të gjetur shkaktarin e vdekjes së tyre.

Autoritetet pastaj do të vendosin nëse do të mbytet qeni ose jo. Deri atëherë ai do të mbahet në një strehimore kafshësh.

SHPËRNDAJE