Nënkryetari i PDK’së i reagon BE’së për importin e veturave të vjetra

Pas reagimit të ambasadorit gjerman në Kosovë, Christian Heldt, dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, kundër projektligjit që mundëson importimin e veturave të vjetra deri në 15 vjet, ka reaguar edhe Memli Krasniqi.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka replikuar në shkrimin e Shefës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, duke thënë se në Kosovë ka ndotës më të mëdhenj të ajrit, siç është qymyri për ngrohje. Ai ka rikujtuar se në Kosovë, jo të gjithë mund të blejnë makina të reja, siç është paraparë nga deputetët.

“Standardi i emetimit të Euro 4 bazohet në Direktivat 98/69/EC & 2002/80/EC, kështu që amendamenti i përmbahet akteve ligjore të BE-së. Unë ndaj shqetësimin tuaj lidhur me ndotjen e ajrit në Kosovë, por ka ndotës më të këqij, p.sh. djegia e qymyrit për ngrohje. Gjithashtu, jo të gjithë në vendin tonë mund të blejnë makina të reja”, i ka replikuar Krasniqi, Apostolovës.

Kujtojmë se Zyra e BE-së përmes rrjetit social Twitter, ka shprehur zhgënjimin për vendimin e deputetëve që veturat e vjetra deri në 15 të lejohen të importohen në Kosovë, duke thënë se projektligji është në kundërshtim me ligjet e BE-së.

“Jemi të zhgënjyer me vendimin e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik për rritjen e vjetërsisë së veturave të importuara deri në 15 vjet, përkundër shqetësimeve që kemi ngritur në Komitetin për MSA javën e kaluar. Kjo lëvizje do të ndikonte drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit në Kosovë dhe është kundër synimeve të Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së.

“Vendimi i Komisionit është kundër Ligjit për mbrojtjen e ajrit dhe është në kontradiktë me rezolutën e Kuvendit për ndotje të ajrit që u votua në shkurtin e këtij viti si prioritet i lartë në nivelin shtetëror”, thuhet në reagim.

SHPËRNDAJE