Neredin Lushtaku pajtohet me Bekim Jasharin se Sami Lushtaku e lënë vet Adem Jashari dhe ka shkuar në Gjermani

Ka ca ditë që asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës po e bojkotojnë punën e Kuvendit Komunal të Skenderajt.

Mbrëmë me një komunikatë, PDK e Skenderajt ka bërë të ditur se ka lëshuar seancën e 30 janarit, pasi nuk pajtohen me formën dhe procedurën e zgjedhjes së komiteteve të përhershme si organet të Kuvendit Komunal të Skenderajt, shkruan Indeksonline.

Lidhur me këtë, dje kryetari i komunës, Bekim Jashari ka ngre një varg akuzash ndaj asamblistëve të PDK-së në Skenderaj duke thënë se po mundohen ta sabotojnë dhe bllokojnë punën e tij. Madje, ai ka përmendur edhe paraardhësin e tij, Sami Lushtakun, për të cilin ka thënë se nuk e habisin veprimet e tij.

“Që tenton Sami Lushtaku të më bllokoj, kjo nuk më befason aspak, sepse Sami Lushtaku edhe babën e mixhën tim i ka lanë për 5 vjet dhe ka ikë në Gjermani, sepse është po ai Samiu që ka qenë”, ka thënë Jashari gjatë një konference për media pas dështimit të mbledhjes së asamblesë komunale.

Me këtë deklaratë të kryetarit Jashari, është pajtuar edhe nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku. Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se pajtohet me ato që ka thënë i pari i komunës.

“Këtë e ka komentuar kryetari dje, nëse veç e keni digju. Krejt ato që i ka thënë kryetari janë të vërteta prej të parës deri te ajo e fundit”, ka thënë shkurt Lushtaku.

Kujtojmë se mbrëmë Grupi i Asamblistëve të PDK-së në Kuvendin komunal të Skenderajt ka njoftuar se nuk ka sabotuar dhe nuk do të sabotojë punën e Kuvendit dhe Kryeartit të  komunës Bekim Jashari, përkundrazi do të mbështesë çdo iniciativë dhe projekt që është në të mirë të qytetarëve të Skenderajt.

“Grupi i Asamblistëve të PDK-së në Kuvendin komunal të Skenderajt nuk do të bie pre e etiketimeve dhe presioneve e publike e jo publike që po u bëhen anëtarëve të tij, për të përkrahur punën e Kryesueses së Kuvendit komunal që po vepron në kundërshtim me përgjegjësitë ligjore të saj dhe duke bërë veprime të jashtëligjshme”, thuhet në reagimin e PDK-së. /Indeksonline/

SHPËRNDAJE