Nëse të mërkurën dështon ratifikimi i Demarkacionit kjo gjë e pret Kosovën

Pas dy ditëve përpjekje, Kuvendi ka dështuar në mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, në të cilën do të hidhej në votim marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Koalicioni qeverisës nuk ka arritur t’i sigurojë votat, pasi Lista Serbe nuk u shfaq fare në Kuvend, teksa përmes një njoftimi për media, bëri të ditur se nuk do ta votojë këtë marrëveshje. Në anën tjetër, konfrontimi më i madh po ndodh mes LDK-së e AAK-së, ndonëse të dy partitë kërkojnë ratifikimin e kësaj marrëveshje. ‘Mollë sherri’ mes tyre është bërë raporti i Komisionit Shtetëror, të kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, sipas të cilit Kosova humb territor. Analistët thonë për Periskopin se AAK kërkon votimin e këtij raporti, për ta nxjerrë vetën nga situata, pas ndryshimit të qëndrimit për Demarkacionin.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte caktuar orën 11:00 të ditës së enjte, për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës – ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Pas tri orë pritje, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli njoftoi se seanca është shtyrë për të premten, nga ora 10:00.

Shkak për këtë shtyrje ishte mos-prezenca e deputetëve të Listës Serbe, të cilët njoftuan se nuk do ta votojnë këtë marrëveshje.

E mospajtime të mëdha pati edhe mes partive shqiptare.

LDK e AAK u konfrontuan për raportin e Komisionit, të kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, sipas të cilit Kosova humb territor, me marrëveshjen për demarkacion, që e nënshkroi atëkohë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, tani presidenti Hashim Thaçi.

LDK insiston se nuk do ta votojë Demarkacionin, nëse në votim përfshihet edhe raporti i Bulliqit, pasi sipas tyre, e drejtë është marrëveshja që u nënshkrua në Bruksel.

Ndërsa, AAK këmbëngul se nuk do ta votojë Demarkacionin, nëse në votim nuk përfshihet raporti i Bulliqit.

Kësisoj, edhe seanca që nisi sot u shty për të mërkurën e javës tjetër.

Për analistin Astrit Gashi, AAK e Nisma po kërkojnë futjen e raportit të Bulliqit, me qëllim që ta nxjerrin vetën nga problemi politik, me të cilin mund të përballen pas ndërrimit të qëndrimit për Demarkacionin.

Sipas tij, pas tërë kësaj situate qëndron presidenti Thaçi.

“Po tash konfrontimi direkt është mes AAK-së e LDK-së, po unë mendoj që pas insistimit për Demarkacion qëndron presidenti Thaçi. Pra në një far forme, tentimi për ta hequr raportin e Komisionit të Bulliqit është një lojë e fshehtë e presidentit Thaçi, i cili është njeriu më përgjegjës për marrëveshjen e Demarkacionit. Për këtë lojë, ai ka gjet aleatë te LDK-ja, meqë kanë qenë në bashkëqeverisje herën e kalume. LDK-ja janë të mashtruar nga zotëri Thaçi”, ka thënë Gashi për Periskopin.

Në anën tjetër, analisti Petrit Zogaj e quan ‘shkarje institucionale’ qëndrimin politik të AAK-së në lidhje me Demarkacionin dhe raportin e Komisionit “Bulliqi”.

“Siç na mëson e drejta ndërkombëtare, marrëveshjet ndërmjet shteteve, kur të marrin formën e nënshkrimit ose pranohen si të tilla dhe kuvendet respektive votojnë pro, ose hidhen poshtë. Pra, përderisa ka një pajtim, dhe në këtë rast Mali i Zi e ka ratifikuar marrëveshjen e 26 Gusht të vitit 2015, Kosova ose duhet ta aprovojë si një dokument të barasvlershëm me atë që ka aprovuar Mali i Zi ose ta refuzojë dhe çështja të kthehet në pikën zero. Në këtë kuptim, akrobacionet politike të brendshme, krijimi i komisioneve vlerësuese për demarkacionin dhe çfarëdo lëvizje tjetër e brendshme nuk ka kurrfarë relevance në kuptim të së drejtës ndërkombëtare dhe si e tillë, përpos që mund të krijojë alibi të momentit, asnjë rëndësi juridike nuk ka”, ka thënë Zogaj për Periskopi.

Ai e quan ‘përpjekje të dështuar’ aventurën politike të AAK-së për të përfshirë raportin e një komisioni qeveritar si aneks të një marrëveshje ndërkombëtare.

“Aventura politike e AAK-së për të përfshirë raportin e një komisioni qeveritar si aneks të një marrëveshje ndërkombëtare është përpjekje e dëshpëruar, në mënyrë që të shpëtoj nga kritikat opozitare në lidhje me ndryshimin e qëndrimit politik të këtij subjekti, prej atij që kishte dikur”, ka thënë tutje Zogaj për Periskopin.

Përderisa Gashi e quan lojë të fshehtë të Thaçit e LDK-së qitjen nga marrëveshja të raportit të Bulliqit, Zogaj e sheh tërësisht brenda logjikës institucionale gjithë përpjekjen e LDK-së që të mos jep votën e saj për dokumente që e kundërshtojnë njëra tjetrën.

Analisti Gashi për Periskopin tha se nëse deri të mërkurën nuk ka zgjidhje, opsioni i vetëm që duhet pasur parasysh janë zgjedhjet.

“Atëherë nëse deri të mërkurën nuk ka zgjidhje, opsioni i vetëm që duhet pasur parasysh janë zgjedhjet dhe për këtë, partitë politike ndoshta duhet ta masin vetën. Kryeministri Ramush Haradinaj ka ndërruar tërësisht qëndrimin që kishte sa ishte në opozitë. Është ndërrim goxha i madh. Ai kërkon plusa për këtë ndërrim qëndrimi. Por, atij po i duket se partitë e tjera nuk janë të gatshme për zgjedhje, andaj insiston kështu”, përfundoi Gashi.

Përpjekja e fundit për votimin e Demarkacionit do të jetë të mërkurën, kur do të mbahet seanca e radhës me vetëm një pikë të rendit të ditës.

Nuk dihet nëse deri atëherë do të arrihet konsensus mes AAK-së e LDK-së për raportin e Komisionit të Bulliqit./Periskopi

SHPËRNDAJE