Nesër dalin rezultatet e cilësisë së naftës – u kontrolluan 59 autobote

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dje së bashku me Doganën kishin ndërmarrë një aksion për kontrollimin e cilësisë së naftës, duke kontrolluar kështu 59 autobote.

Analizat tashmë janë dërguar për verifikim në laborator, dhe rezultat do të dalin nesër.

Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.
Ai ka deklaruar se për këtë aksion ka qenë i informuar vetëm drejtori i Doganës.
“Aksioni është ndërmarrë për 24 orë. Nuk ka qenë i paralajmëruar, nuk e ka ditur askush veç drejtorit të Doganës. Të gjitha autobotet që kanë hyrë brenda 24 orëve janë kontrolluar, dhe ne vetëm kur kemi dalur në vend ngjarje pesë minuta përpara është njoftuar dogana që është aksion i kontrollit të naftës”, deklaroi Hasani.

Ministri Hasani tutje ka thënë ky është aksioni i vetëm ku janë kontrolluar të gjitha autobotet e naftës, dhe nuk ka pasur ndonjë përzgjedhje rastësore.

“Natyrisht janë thirrur edhe trupat inspektuese, së bashku me doganën dhe inspektoratin e MTI-së. Analizat kanë shkuar në verifikim në laborator, nesër ju njoftojmë për rezultate. 59 autobote janë kontrolluar, të gjitha që kanë hyrë brenda 24 orëve pa përjashtim. I vetmi aksion që janë ndërmarrë, dhe s’janë përzgjedh autobotet, çdo e pesta apo e dhjeta. Nëse kanë qenë të një kompanie dhjetë autobote të gjitha janë kontrolluar”, shtoi Bajram Hasani për lajmi.net

Ai bëri të ditur se MTI-ja ka dy laboratorë që janë të autorizuara, dhe që janë duke u marrë me analizat e naftës.

Hasani ka paralajmëruar se nëse ka dyshimet mund të bëhet edhe super-ekspertizë për cilësinë e naftës së kontrolluar dje.

“I kemi dy laboratorë që janë të autorizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që kanë akreditim, realisht ne po i presim rezultatet, në rast se kemi dyshime mbi këto ndoshta edhe një numër të tyre do ta bëjmë super-ekspertizë”, përfundoi ministri i Tregtisë dhe Industrisë.



  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE