Nga Berlini parashikon Baton Haxhiu: Për Kosovën janë dy opsione – autonomi për serbët ose demarkim i kufirit

Gazetari Baton Haxhiu nga Berlini ka komentuar Samitin në të cilin po marrin pjesë përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se pas këtij takimi të kryesuar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të vjen një frymë ndryshimi, por jo sot, njofton Klan Kosova.

“Unë mendoj që Gjermania është pozicionuar me Haradinajn dhe e ka përkrahur taksën për një arsye. Kjo u bë për shkak të shpejtësisë së marrëveshjes dhe e kishte marrë rrugën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Është rasti i parë që ndaj dy vendeve që janë armiqësore për shkak të kaluarës dhe kanë hyrë për të arritur një marrëveshje negociatorët bëjnë presion që të mos e arrijnë. Gjermania ka qenë në përkrahje për të ndaluar marrëveshjen mes dy shteteve”.

“Mendoj që do të ndodhë shumëçka pas konferencës dhe Merkel, sipas asaj që shihet pas takimeve, do të ketë një frymë të ndryshimi. Se çka është kjo frymë e re, mbetet të shihet. Pritet të shihet kur Merkel do të mund ta bind Serbinë që ta njohë Kosovën, apo edhe Spanjën dhe katër vendet tjera të BE-së”.

“Nëse ajo e jep një fjalë të vet në këtë proces, duke mos përmendur një samit të ardhshëm që do të mbahet në vitin 2020 në Kroaci, kjo i bie që do të hyjmë në një proces të status quo-së. Besoj që Merkel nuk do ta lejojë. Cila do të jetë zgjidhja e saj? Nuk besoj se do të jetë asnjëra nga ato që janë propozuar. Nuk do të jetë as varianti i dy Gjermanive dhe as varianti i autonomisë”.

“Këtu janë dy opsione: autonomi për serbët ose demarkim i kufirit. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, sepse nuk ka asnjë opsion që është i pranueshëm”.

Haxhiu në Info Magazine të Klan Kosovës tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë për një marrëveshje që do ta përfundonte konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-të nuk janë për ndonjë variant, por janë për ta përfunduar konfliktin për të insistuar që kjo marrëveshje të kryhet. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet ta gjejnë një zgjidhje”.

“Por, që të thuhet se palët duhet t’i respektojnë marrëveshjet që janë për energji dhe të tjera – dhe aty ku hyn Asociacioni – nuk besoj se do të ndodhë, sepse janë probleme që marrin kohë dhe do të kthehemi prapë te ky pozicion. Nuk kemi kohë për të humbur edhe 27 vjet tjera për t’u kthyer në pikën ku jemi sot”.

SHPËRNDAJE