Nga milionat e kredive, tek milionat e mashtrimit, historia e ndërlikuar e fondit “Besa”

Një hetim i prokurorisë së Tiranës zbuloi një skemë të madhe mashtrimi me kreditë e dhëna nga fondacioni “Besa”, duke shtuar edhe më tej dyshimet publike mbi aktivitetin e një prej institucioneve më të rëndësishme kredidhënëse në Shqipëri, fillesat e të cilit i ka nga financimet e fondacionit “Soros”.

Në krye të skemë mashtruese, e cila me një përllogaritje fillestare është rreth 3.7 milionë euro, por që mund të rritet në vijim të hetimit, qëndron Albana Imami, drejtuese e një filiali të rëndësishëm të Fondit në Tiranë dhe njëkohësisht aksionere tek “Besa”.

Sipas Policisë së Shtetit, e cila njoftoi paraditen e së Mërkurës arrestimin e disa punonjësve të Fondacionit “Besa”, përfshirë edhe Imamin, të paktën 7 punonjës të këtij institucioni privat kanë nënshkruar dokumenta fiktive, në bazë të të cilave klientëve u faturoheshin shuma më të mëdha kredie se sa në fakt ata kishin marrë.

Më pas, të njëjtët punonjës, sipas hetimit, plotësonin dokumenta fiktive, nëpërmjet të cilave nënshkruanin se kredimarrësit kishin kthyer shumat jo-reale. Diferenca ndërmjet shumave reale të marra nga klientët dhe atyre të shënuara në dokumenta, dyshohet se shkonte në favor të pjesëmarrësve në këtë skemë mashtruese.
Ky hetim shënon pikën më të ulët në aktivitetin e fondacionit “Besa”, për të cilin ka pasur raportime mediatike në kohë të ndryshme për praktika të dyshimta në dhënien e kredive, për të cilat, gjithësesi nuk ka pasur hetime zyrtare më parë.

Fondacioni “Besa” është një shoqëri aksionare, me kontroll absolut të biznesmenit Bajram Muçaj. Fondacioni “Besa” është regjistruar si i tillë në vitin 2008. Aksionerët kryesorë të saj janë Bajram Muça me 20 përqind të aksioneve dhe “Albania Besa Capital”, i kontrolluar po nga Muça, me 65.8 përqind të aksioneve. Pjesa tjetër është ndarë në përqindje të vogla në rreth 30 aksionerë të tjerë.

Fondacioni “Albania Besa Capital” i Bajram Muça, me një akt-dhurimi të fundit të Dhjetorit 2008, ka pranuar 100% të aksioneve të fondit “Besa”, i krijuar nga i njëjti person në vitin 1994.

Nga të dhënat publike në faqen zyrtare të Fondit “Besa”, rezulton se fillesat e tij janë në vitin 1994, kur ka nisur aktivitetin si “Departament i Mikrokredisë Urbane”, në kuadër të Fondit të Zhvillimit Shqiptar.

Më pas, në vitin 1999, themelohet fondacioni “Besa”, si një organizatë joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse, me Themelues Fondacionin Soros.

Në vitin 2008, fondacioni merr vendimin për t’u transformuar nga një organizatë jo-qeveritare, në një shoqëri tregtare aksionare.

Në vitin 2009 realizohet transferimi i plotë i stafit dhe i aseteve të Fondit “Besa” tek shoqëria aksionare “Besa”.

Sipas të dhënave nga bilanci i saj, Fondi kishte për vitin 2015 të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh, me një rritje prej 11% me bazë vjetore, duke u renditur ndër 200 kompanitë më të mëdha në Shqipëri. Fitimi para taksave ishte 341 milionë lekë.

Portofoli i kredisë (hua dhënë klientëve neto) së Fondit Besa ishte rreth 6 miliardë lekë (rreth 44 milionë euro) në fund të 2015-s, sipas të dhënave nga bilanci.

SHPËRNDAJE