Normaliteti i rremë dhe virusi i vërtetë

Ne e kemi simuluar normalitetin prej qershorit e tutje, duke shpërfillur realitetin e një virusi. Dihet kush është humbës këtu: Normaliteti ynë do të pësojë keq prej realitetit të një virusi.

A e keni vërejtur që kohëve të fundit, fjala a nocioni ‘panik’, thuajse është zhdukur nga përdorimi në atë komunikimin publik në mes të autoriteteve politike, atyre shëndetësore dhe qytetarëve të Kosovës.

Në ato ditët dhe javët e para të Pandemisë ndër ne, aty prej gjysmës së marsit e tutje, çdo fillim dhe secili fund në paraqitjet publike të përgjegjësve për shëndetin e qytetarëve, shquhej me atë insistimin kategorik që ‘nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar po…’.

Shifrat e të infektuarve në fillim ishin modeste, sidomos kur ato të shikohen dhe të analizohen nga perspektiva e ditëve dhe javëve të fundit.

Pastaj, e gjithë Kosova u mbyll. Të gjithë ne ishim në karantinë.

Ndodhi një përputhje e plotë, të thuash e pashoq ndër ne, e qëndrimeve dhe porosive të autoriteteve politike dhe shëndetësore, me sjelljet dhe veprimet e qytetarëve të Kosovës.

Ishte frika nga një sëmundje krejtësisht e panjohur, e cila kishte nisë të bëjë kërdinë, veçmas në Itali dhe në Spanjë, ajo që na bëri bashkë të gjithëve, në një tjetër ‘Kontratë shoqërore’.

Frika nga njeri-tjetri, kësaj here, nga një virus që bartet lehtë prej njërit tek tjetri, ishte themeli i një ‘Marrëveshjeje’ të re shoqërore që na bëri bashkë, në rrethana tepër të vështira dhe të ndërlikuara politike.

Funksionuam si duhet në kohën kur vetë-izolimi dhe një vetë-paralizë ishte mënyra e vetme për t’i shpëtuar më të keqes: Rritjes masive të rasteve, mbipopullimit të spitaleve tona, daljes së situatës nga kontrolli.

Ky rrëfim, siç e dimë të gjithë ne, i takon tash së kaluarës. Të kaluarës së largët madje.

Asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket dijes për Covid-19, as në Botë dhe as tek ne.

Përditë kemi, mbase, nga tre herë paradite dhe pasdite (thuajse është fjala për një terapi barërash), lajme krejtësisht kundërthënëse për natyrën e këtij virusi, dhe për gjasat që në një të ardhme të afërm, ta zëmë, deri në fund të këtij viti, të gjendet ilaçi për te, apo edhe vaksina për shpëtimin nga ky Coronavirus.

Këtu veçmas prinë OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë), e cila, me komunikatat dhe deklaratat e saja shpeshherë kundërthënëse, në vend se të rrezatojë siguri dhe shpresë për Botën, është shndërruar në burimin kryesor të depresionit dhe të pasigurisë për të gjithë ne.

Nuk ka pra asnjë arsye të vetme që ne, si qytetarë të Kosovës, sot, në muajin korrik, të jemi më pak të frikësuar nga kjo sëmundje sesa që ishim katër muaj më parë, në muajin mars.

Nuk ka ndryshuar gjë as sa i përket organizimit tonë si shoqëri, apo, kur bëhet fjalë për kapacitetet spitalore dhe ato testuese, të cilat do të ofronin një ngritje të matshme të shkallës së sigurisë në shëndetin publik në vend.

Prej fillimit është ditur që jemi shumë të kufizuar në potencialin tonë të organizimit shëndetësor për tu përballur me sprovën e këtij virusi.

Prandaj, strategjia (e importuar nga shtetet më të zhvilluara të Evropës, përjashto këtu Suedinë që e zgjodhi modelin e vet, me pasoja tutje shumë problematike), ishte që numri i të infektuarve të jetë sa më i vogël, dhe që pastaj gradualisht, të ndodhë hapja e vendit, për t’iu shmangur një tjetër kolapsi, gjithsesi shumë të rrezikshëm, atij ekonomik.

Strategjia funksionoi goxha mirë deri kah fundi i muajit maj.

Pastaj, ndodhi hapja e shpejtë, e menjëhershme, e pakontrolluar, e pa analizuar mirë.

Thuaja askush prej atëherë, prej fillimit të qershorit, e deri më sot, nuk po i përmbahet masave dhe rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore, të cilat janë fare të thjeshta: maska, distancë dhe larje duarsh.

Restorantet dhe kafenetë janë të mbipopulluara. Ashtu është edhe me rrugët dhe sheshet.

Një në njëqind ka maskë. Një në pesëdhjetë mbanë distancë. Me përjashtime tepër të rralla, në lokalet e kryeqytetit ka kujdes, ka distancë dhe dezinfektues.

Mbase të gjithë edhe mund t’i lajnë duart kur të kthehen në shtëpi, por atëherë mund të jetë vonë.

Fjalën panik, aq shumë të frekuentuar më parë, dhe aq shumë të munguar tani, ditëve të fundit, e ka zëvendësuar një tjetër, e cila po thuhet prej atyre që janë më të thirrur për ta bërë vlerësimin e gjendjes së shëndetësisë publike.

Tash po flitet për tmerr.

Gjendja është pra e tmerrshme, si në spitalet e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera, ashtu edhe në të gjitha ambientet publike të Kosovës.

Ndërsa përshkrimi i këtillë, që shquan tmerrin në zhvillim e sipër, në shtrirje dhe në zgjerim e sipër, është në një oponencë të madhe me ato fjalët dhe formulimet kinse paralajmëruese, si të autoriteteve politike, ashtu edhe të atyre shëndetësore, sipas të cilave, nëse ne nuk do t’i përmbahemi rekomandimeve tre hapëshe të tyre, situata do të dalë jashtë kontrollit.

Nuk do të pësojmë gjë më keq, nëse na thuhet e vërteta, të gjithëve.

Situata tash e së paku tre javë, në Prishtinë dhe në gjithë Kosovë, është jashtë kontrollit.

Këshillat dhe rekomandimet nuk po përfillen.

Neve po na ndodhë ‘Rënia e lirë’, si thuhet.

Jemi aktualisht, nën mëshirën e fatit.

Jemi bërë ‘suedezë’ pa na pyetur kush, edhe pse dihet çfarë sistem shëndetësor ka Suedia, e çfarë kemi ne.

Përkeqësimi dramatik i gjendjes që po na ndodhë javëve të fundit, do të ketë pasoja disamujore, edhe nëse me një ‘gisht të mrekullisë’, numrat nisin të ulen përditë.

Është e paimagjinueshme që të ketë sivjet mësim real në shkolla.

Nuk do të ketë kthim në normalitet gjatë këtij viti.

Por ne të gjithë, në fakt e kemi simuluar normalitetin prej qershorit e tutje, duke shpërfillur atë realitetin e një virusi.

Dihet kush do të del humbës këtu: Normaliteti ynë do të pësojë keq prej realitetit të një virusi.

Në reklamimin e një loje shpërblyese që po zhvillohet kohëve të fundit, në promovimin e saj, protagonistët e një spoti televiziv, po na thonë: ‘Unë kam lujtë. Ai kish lujtë. Krejt kishin lujtë.’.

Mbase, nuk ka përshkrim më të mirë, fatkeqësisht, për situatën në të cilën gjindemi të gjithë ne sot në Kosovë.

Me lujtë ndër ne, siç e dimë, ka dy domethënie krejtësisht të ndryshme.

Por ne jemi duke i përfillur dhe përmbushur te dy këto domethënie.

Çfarë tmerri.

SHPËRNDAJE