Nuk ka asnjë lëndë nga veriu në Gjykatën Supreme

Jelena Krivokapiq, gjyqtare në Gjykatën Supreme të Kosovës, ka thënë se një vit pas integrimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës gjendja vazhdon të jetë e njëjtë, përveçse qytetarët tani nuk detyrohen ta kërkojnë drejtësinë në dy sisteme të ndryshme gjyqësor.

Një vit pas integrimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës gjendja është sikurse edhe përpara, e rëndë përveçse tani qytetarët nuk detyrohen ta kërkojnë drejtësinë në dy sisteme të ndryshme gjyqësore. Në Gjykatën Supreme të Kosovës për një vit të gjyqësorit të integruar nuk ka arritur asnjë lëndë nga veriu i vendit. Kështu ka deklaruar Jelena Krivokapiq, gjyqtare në Gjykatën Supreme të Kosovës, gjatë një debati të organizuar nga organizata “Aktiv” në veri të Mitrovicës, në kuadër të projektit “Qendra e energjisë së qytetarëve”, që mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, shkruan Zeri.

“E vetmja përparësi e integrimit të gjyqësorit, ndoshta edhe më e madhe, është se tani qytetarët nuk detyrohen ta kërkojnë të drejtën para dy gjykatave, respektivisht në dy sisteme të drejtësisë. Vetëm ky mund të them se është ndryshimi, të gjitha të tjerët janë në gjendje të rëndë. Nuk jemi treguar të mirë si shoqëri në përgjithësi kur bëhet fjalë për integrimin e gjyqësorit, sepse dikë e frenon përkthimi, dikë ligji, dikë e frenojnë procedurat, dikë tjetër objektet. Nuk mund të them se për një vit të integrimit ka ndodhur diçka që do të mundë t’i lavdëronin gjykatësit, ndërsa të gjithë kemi premtuar se banorët do të kenë interes nga integrimi, kemi pritur më shumë”, thotë ajo.

SHPËRNDAJE