Nuk mjafton pavarësia, duhet rikthyer shpresën në Kosovë

Pas 19 vjetësh fotografitë e refugjatëve kosovarë të strehuar rrëzë Gjallicës së Kukësit, të premten kanë rihapur temën e nëpërkëmbjes së lirisë njerëzore, shkruan sot Koha Ditore.

Shkrimtari dhe analisti Fatos Lubonja përmes fotografive të realizuara në kohë lufte ka rikthyer në tjetër dimension luftën. Së bashku me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi kanë ngritur të tjera çështje që fundi i luftës nuk i ka zgjidhur.

Nëse lufta ka përfunduar apo jo; pse pavarësia nuk i zgjidhi problemet e shqiptarëve; a duhet për hir të “paqes” viktimat të heqin dorë nga drejtësia… ishin disa nga temat që u diskutuan në ekspozitën e Lubonjës në Prishtinë, “Bri plagomes prej nga derdhet dhimbja”.

Lubonja ka nisur fjalën e tij duke risjellë deklaratat që ka mbajtur në mend nga një dokumentar i shfaqur në një media ndërkombëtare pak kohë me parë e që fliste për kosovarët. Për kushtet e rënda të jetës, për arsyet që i detyruan që ta braktisin “atdheun e pavarur”, për mjerimin që i shoqëron një pjesë të madhe të njerëzve. Sipas Lubonjës, këto nuk i zgjidhi pavarësia.