Nuk përmbahet as Haradinaj, ka dy fjalë edhe ai për Vjosa Osmanin

Kandidati i koalicionit AAK-PSD për kryeministër të vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se e gjithë Kosova nuk është LDK, por ka edhe parti të tjera.

Haradinaj ka thënë se për kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani, ka respekt për të dhe se ky veprim nga ana e partisë së saj ka qenë i mençur.

“E respektoj Vjosën, LDK-ja ka bërë një veprim shumë të mençur me nomiminin e saj. Por krejt Kosova nuk është LDK, fatmirësisht jetojmë në demokraci”, ka thënë Haradinaj në Interaktiv.

“Kisha pritur prej cilido kandidat që hynë, që në këto temat e interesit nacional të ruhen, edhe në fushatë. Për shembull çështja e taksës duhet të sqarohet nga secili kandidat. Nëse ja jep tregun Serbisë, çka ofron për ta marrë njohjen”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se do të ishte mirë që një grua të jetë kryeministre, por përtej këtij fakti, Haradinaj ka thënë se duhet të shikohet se çfarë agjende ka ajo si kandidate.

“Unë shoh që do të vijnë tema të rënda, e me këtë nuk po them se një grua apo një burrë, sepse kemi parë që edhe burrat nuk kanë mundur të marrin vendime”, ka thënë ai.

E duke folur për LDK-në, Haradinaj ka thënë se kjo parti është investuese në këtë gjendje që e kemi në Kosovë.

“Nuk e kuptoj se si mundet LDK-ja të flasë se sa keq është gjendja sot në Kosovë. Janë ata që e kanë bërë Hashim Thaçin president e herën e parë Kadri Veselin kryetar Kuvendit”, ka thënë Haradinaj./gazetametro.net

SHPËRNDAJE