Oda Ekonomike e Kosovës e zgjedh kryetarin e ri

Oda Ekonomike e Kosovës ka përfunduar procesin zgjedhor, me ç’rast kryetar u zgjodh Berat Rukiqi, i cili njëherit ishte edhe kandidati i vetëm për këtë pozitë.

Në këtë proces zgjedhor ku morën pjesë mbi 1,800 anëtarë të Odës Ekonomike, në bazë të parimit një anëtarë një votë, nga të gjitha shoqatat sektoriale si dhe nga njësitë rajonale të Odës (29 shoqata dhe 7 njësi rajonale), u zgjodhën strukturat drejtuese, përkatësisht organet e Odës Ekonomike të Kosovës.

Rukiqi ka një përvojë të gjatë në sektorin publik dhe privat, duke qenë i angazhuar për një vit në Zyrën e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, 11 vjet në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës, dhjetë vjet si staf i rregullt në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”, katër vjet kryesues i Bordit të Drejtoreve të KEK-ut, anëtarë i bordit të “Millennium Foundation Kosovo”, si dhe është bashkëthemelues dhe bashkëpronar në kompaninë “Trosha”.

Në adresimin para delegateve Rukiqi u zotua për partneritet të fuqishëm me bizneset dhe sektorin privat në përgjithësi për përfaqësim të denjë të zërit të tyre në raport me institucionet vendimmarrëse në vend dhe partneret ndërkombëtar.

Berat Rukiqi do të zëvendësojë Safet Gërxhaliun, i cili kishte shërbyer si kryetar i këtij institucioni.

Përveç kryetarit, kuvendi i ri i Odës ka 71 anëtarë i cili zgjodhi edhe Këshillin e Ri Drejtues, Këshillin Mbikëqyrës dhe Sekretarin e Përgjithshëm. Të gjitha strukturat drejtuese të Odës Ekonomike të Kosovës janë zgjedhur për mandat katër vjeçar.

SHPËRNDAJE