Paçarizi: Nuk pres që takimi Thaçi-Kurti ta prodhojë mandatarin për formimin e Qeverisë

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, njëherësh edhe profesor universitar, ka thënë se takimi i Presidentit, Hashim Thaçi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk do të rezultojë me prodhimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re, e aq më pak nëse takimi zhvillohet pa u dakorduar me LDK’në.

Në një prononcim për Gazetën Metro, Paçarizi tha se ky takim duhet të konsiderohet si konsulativ dhe Kurti të vazhdojë të shfrytëzojë hapësirën që është duke e lejuar Kushtetuta për ta dërguar një emër të presidentit, në mënyrë që Thaçi ta mandatojë atë për formimin e Qeverisë.

‘Takimi i presidentit Thaçi me kryetarin e VV Albin Kurti nuk besoj ta prodhojë mandatarin për bërjen e qeverisë, aq më pak nëse Kurti shkon në takim pa “miratimin” e LDK-së.

Domethënë takimi duhet të konsiderohet si konsultativ dhe zoti Kurti do të vazhdojë ta shfrytëzojë zbrazëtirën që e lejon Kushtetuta për ta dërguar një emër te presidenti, në mënyrë që ky i fundit ta mandatojë për bërjen e qeverisë’, ka thënë Paçarizi.

Sipas tij, nuk do të duhej të arrihej një marrëveshje midis VV’së dhe LDK’së para takimit të Kurtit me Presidentin Thaçi, pasi që një marrëveshje e tillë e arritur nën presion do të prodhonte një qeverisje jocilësore.

‘Unë nuk do të dëshiroja të kishte një marrëveshje ndërmjet LDK e LVV para takimit të Kurtit me presidentin Thaçi pasi një marrëveshje e tillë e bërë nën presion do të prodhonte qeverisje jocilësore.

Sidoqoftë nuk ka nevojë që Kurti të shkojë në takim te presidenti patjetër me një marrëveshje paraprake me LDK-në qysh nesër’, ka përfunduar Paçarizi.

Presidenti Thaçi, nesër nga ora 15:00, do të pres në takim kryetarin e VV’së, Albin Kurtin për të marrë mandatarin për bërjen e Qeverisë së re.

‘E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë që zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres’, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërkaq, Kurti i cili e refuzoi për dy herë radhazi ftesën e Presidentit, ditë më parë ka thënë se do të takohet me Presidentin Thaçi, por ai nuk e përcakton datën e formimit të Qeverisë.

‘Mua vetëm LDK më përcakton datën e formimit të qeverisë’, ka thënë Kurti.

Takimit të Thaçit me Kurtin do t’i paraprijnë dy mbledhjet e rëndësishme të LDK’së, që do t’i mbajë me kryesinë dhe me grupin parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e kësaj partie për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me Vetëvendosjen.

Siç raportohet, VV tanimë i ka bërë një ofertë LDK’së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, duke ofruar LDK’së t’i merr gjashtë ministri, kundrejt katër sa do t’i kishte Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa, në ofertë parashihet që presidenti t’i takojë LDK’së, dhe në momentin e zgjedhjes së kësaj pozite, atëherë partia e Isa Mustafës t’ia kthejë një ministri VV’së, duke u barazuar sa i përket ministrive.

SHPËRNDAJE