Pacolli lartëson Erdoganin, por pse shkoi me Thaçin në Stamboll?

Behgjet Pacolli, lideri i AKR’së, e ka lartësuar presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan. Ka thënë se Shefi i Shtetit turk është një mik dhe alet i madh i Kosovës. I ka lënë merita edhe për njohjet që i kanë ardhur Kosovës.

Mirëpo, ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës nuk ka treguar se pse ka shkuar në takim te Erdogani bashkë me Presidentin Hashim Thaçi.

“Sot në Stamboll së bashku me Presidentin Thaçi zhvilluam një takim të shkëlqyeshëm me Presidentin turk Erdogan. Presidenti Erdogan është një mik dhe aleat i madh i Kosovës i cili ka mbështetur pavarësinë dhe njohjen tonë që nga dita e parë kur shpallëm pavarësinë e Kosovës. Miqësia dhe partneriteti ynë do të jenë më të fuqishëm”, ka shkruar Pacolli në një reagim në Fb.

Ndërkohë, Express ka raportuar njeriu i parë i vendit, Hashim Thaçi, ka realizuar udhëtimin e parë jashtë shtetit, në Turqi, prej fundit të qershorit të këtij viti kur Gjykata Speciale propozoi aktakuzë ndaj tij. Derisa ishte nisur nga Prishtina për në Vjenë e pastaj do të shkonte në SHBA, Presidentit iu ndalë në gjysmë rrugëtimit drejt Shtëpisë së Bardhë  pasi Specialja lëshoi njoftim se ka propozuar aktakuzë për Shefin e Shteti në pretendimet se është i përfshirë në së paku 100 vrasje. Njoftimi u bë publik pasi Specialja tha se ka pasur tendenca për ta zhbërë institucionin që merret me zbardhjen e krimeve të luftës dhe pasluftës.

Ndërkohë, këtë vikend, kreu i Shtetit shkoi në Stamboll për ta takuar Shefin e Shtetit turk, Rexhep Taip Erdgoan.

S’ka pasur kurrfarë njoftimi paraprak se mund të udhëtonte Thaçi për në Stamboll.

Ndërkohë, Presidenca turke ka publikuar fotografitë e takimit ku shihet se bashkë me Thaçin është edhe Behgjet Pacolli, aktualisht lider i AKR’së dhe deputet i Parlamentit të Kosovës.

Nuk ka folur as Pacolli për këtë udhëtim pavarësisht se Express ka provuar të marrë një version të tij se pse ka shkuar në Stamboll me Presidentin Thaçi.

Udhëtimi i Shefit të Shtetit dhe deputetit Pacolli në Turqi po ndodh pak ditë pasi Kosova vendosi të hapë ambasadën në Jerusalem për çka Turqia kishte lëshuar një reagim duke kundërshtuar një hap të tillë të Kosovës.

Raportet Kosovë-Turqi ishin përmirësuar kur Presidenti Thaçi realizoi një kërkesë të Erdoganit për t’i deportuar gjashtë përkrahës të Gulenit për në Turqi.  E gjithë ngjarja kishte ndodhur në maj të vitit 2018.

Ndërkohë, të njëjtit janë dënuar me 65 vjet burgim pse kanë përkrahur Fetullah Gulen.

SHPËRNDAJE