Paralajmërimi: Deri në fund të korrikut mbi 40 mijë punëtorë mund të mbesin pa punë në Kosovë

Qeveria e kaluar e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti kishte miratuar Pakon Emergjente Fiskale për të mbështetur punëtorët dhe bizneset, të cilët kanë hasur vështirësi gjatë pandemisë COVID-19.

Në këtë Pako është paraparë që punëtorët të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj, përkatësisht prill dhe maj. Mirëpo, deri më tani, edhe pas krijimit të qeverisë së re, shumë biznese dhe punëtorë ende nuk i kanë marr pagesat e premtuara.

Për kryetarin e Sindikatës të Sektorit Privat, Jusuf Azemi kjo situatë është e papranueshme. Ai për Telegrafin tha se, nëse nuk merren masat, deri në fund të muajit korrik mbi 40 mijë punëtorë do të janë të larguar nga vendet e punës.

Azemi tregon se, mbi 80 për qind e kompanive nuk janë duke mundur t’i shtinë në sistem punëtorët, të cilët kanë qenë para pandemisë.

“Mbi 80 për qind e kompanive nuk janë duke mundur t’i fusin në sistem të gjithë punëtorët, të cilët kanë qenë para pandemisë. Ne presim një shifër që deri në fund të muajit korrik të janë mbi 40 mijë punëtorë të larguar nga procesi i tyre i punës, ku në asnjë rast nuk e arsyetojmë mbylljen e vendeve të punës, por megjithatë realiteti është ky, ku mbi 40 mijë prej tyre pritet që të arrij shifra e punëtorëve që do të mbesin jashtë sistemit të punës”, tha Azemi.

Sipas tij, gjendje e punëtorëve është rënduar gjatë gjithë kohës së pandemisë.

“Edhe para fillimit të pandemisë COVID-19 gjendja e punëtorëve të sektorit privat ka qenë në gjendje të rëndë, ku mund të themi që në rajon gjendja më e rëndë në këtë sektor, sepse nuk u është kushtuar një kujdes i duhur. Tanimë gjendja e tyre është tepër e rëndë, sepse gjatë pandemisë punëtorët me të drejt pritën që t’ju paguhen 170 euro, megjithatë këtë premtim nuk e realizoj dhe është tepër larg realizimit të saj dhe jemi të shqetësuar, ku për këtë do të ishte më mirë të shqetësohet Qeveria e Kosovës, sepse i ka gënjyer punëtorët e sektorit privat, pasi janë në gjendje të rëndë”, tha Azemi.

I pari i punëtorëve të sektorit privat, ka shtuar se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës po bëjnë lojëra politike.

“Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës po bëjnë lojëra politike me kafshatën e bukës së punëtorëve të sektorit privat, e cila përtej kësaj nuk e miratojnë Ligjin mbi Buxhetin e Kosovës dhe kjo është për t’u çuditur”, shoi ai.

Në fund, Azemi tha se edhe ata punëtorë që janë duke punuar, shumë biznese nuk janë duke mundur t’ia paguajnë pagat.

“Edhe ata që janë duke punuar, pothuajse pjesën më të madhe pronarët e kompanive nga gjendja që e kanë nuk janë duke mundur t’i paguajnë pagat e tyre. Tash për tash vetëm 30 për qind e bizneseve presin një fitim minimal, pasi është një stagnim i punëve në kompani, e që e kuptojmë se këto nuk janë në nivelin e duhur, por edhe ata janë solidar me punëtorët”, përfundoi Azemi.

Kujtojmë se, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transferëve ishte miratuar Pakoja Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.65 milionë euro.

SHPËRNDAJE