Paralajmërohet embargo ndaj Serbisë

Taksa ndaj prodhimeve serbe nuk pritet të hiqet. Madje ajo pritet të rritet.

Në qeverinë e Kosovës thonë se po shqyrtojnë mundësinë që t’ bëjnë embargo Serbisë.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, ka thënë se vendosja e taksës prej 10 % nga ana e Kosovës për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është një vendim që do të sjellë të mira financiare për Kosovën.

“Efektet e këtij vendimi maten çdo ditë, po ju përkujtoj se nga Serbia në muaj importojmë 36-40 milionë euro”.

“Nëse llogarisim 10 % i bie që përfitojmë 4 milionë euro në muaj, rrjedhimisht për 12 muaj janë 48 milionë euro, pra efekti është shumë i madh”.

Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ky vendim mund të mos zgjasë shumë, pasi sipas tij, kjo taksë mund të rritet.

“Shpresoj se ky vendim do të pësojë ndryshim se nëse vazhdon me të njëjtin avaz Serbia të sulmojë dhe bllokojë Kosovën në çdo arenë, Qeveria do të ndryshojë vendimin duke marrë masë më drastike dhe do të vendosë përqindje më të madhe”.

“Nëse edhe pas kësaj, Serbia ende vazhdon, atëherë do të shkojmë me embargo total ndaj produkteve të Serbisë”.

Sipas zëvendësministrit të Financave, ky vendim do të ndikojë pozitivisht edhe tek prodhuesit vendorë.

“Pjesa kryesore e fitimit është sensibilizimi i qytetarëve në blerjen e produkteve vendore, pra që të mësohen të blejnë produkte vendore”.

“Nuk mund të flasim për 3-4 ditë or me kalimin e kohës, prodhuesit vendorë do t’ia shohin hajrin këtij vendimi. Me rritjen e dinamikës së shitjes, do ta rrisin kualitetin dhe do të gjejnë pozicionin e tyre”.

“Nëse disiplinohet Serbia, qytetari do të mësohet me produktet tona ose produktet tjera. Nuk ka asnjë lloj produkti Serbia që nuk ka në botë, por është shumë me rëndësi që shumë produkte prodhohen edhe në Kosovë që kanë pasë dhe konkurrencë jolojale në tregun tonë”, ka thënë Gashi.

SHPËRNDAJE