Pas hapjes së fushatës në Podujevë, Zemaj prezanton projektin për ndërtimin e spitalit në këtë komunë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, së bashku me U.D. Drejtorin e ShSKUK-së, Saudin Maliqin, deputetin Ekrem Hyseni dhe përgjegjësin e Spitalit të Podujevës, Afrim Tahiri, kanë prezantuar projektin sipas tyre të sapo finalizuar për ndërtimin e spitalit në Podujevë.

Zemaj ka treguar edhe për sipërfaqen e spitalit e cila do të jetë rreth 7.700 m2.

Në këtë spital do të ofrohen shërbimet si: Diagnostika (Laboratorët me Radiologji), Ambulancat Specialistike, Shërbimi Emergjent, Mjekësia Interne, Kirurgji dhe Ortopedi, Gjinekologji dhe Neonatologji dhe Pediatri.

“Llapi meriton spital me kushte dhe shërbime për shumë arsye. Një ndër to, është të ofrohet shërbimi sekondar sa më afër qytetarëve dhe të mos ngarkohet QKUK-ja, sepse, jo vetëm Podujevës por edhe Prishtinës i mungon Spitali i Përgjithshëm”, ka thënë Zemaj.

Zemaj këtë lajm e dha sot pasi u hap zyrtarisht fushata për zgjedhjet në Podujevë të cilat do të mbahen me 29 nëntor.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës është nënkryetari i tanishëm dhe u.d kryetari i kësaj komune, Nexhmi Rudari.