Pas heqjes së reciprocitetit, SHBA kërkon rinisjen e dialogut

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes të mbajtur të shtunën shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, me qëllim që, siç u tha, t’i jepet shansë rinisjes së dialogut me Serbinë. Pas këtij vendimi, Shtetet e Bashkuara kërkuan që bisedimet të rinisin sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke i hequr pengesat për procesin e dialogut, në përputhje me zotimet që kemi dhënë para partnerëve tanë ndërkombëtarë”.

“Tani presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t’i japin frymë procesin e dialogut.

Por, ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t’i jepet shansë dialogut, por theksoi se nuk mund të japë një datë të saktë se për sa kohë ky vendim do të mbetet në fuqi.

Kryeministri Hoti tha se për vendimin për shfuqizimin e masave të reciprocitetit është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. Ai tha se gjatë takimit që ka pasur të premten me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka marrë zotimin se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë që Serbia po ashtu të heqë pengesat për dialog, siç është fushata për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.

“Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtarë që presioni i tyre do të jetë edhe karshi Serbisë, që edhe ata të heqin pengesat për dialog dhe pasi të heqin ato pengesa për dialog, ne do të ulemi në tavolinën e bisedimeve”, tha Hoti.

Hoti tha se ai është i gatshëm që menjëherë sapo Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, të rinisë dialogun me ta, dhe potencoi se procesin e dialogut do ta udhëheqë ai dhe jo presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Jemi të gatshëm që të ulemi menjëherë në tavolinën e dialogut. Kryeministri i vendit, në bazë të kompetencave kushtetuese, e udhëheqë dialogun. Edhe po të doja unë, nuk mund t’i transferoj kompetencat e mija kushtetuese, as te presidenti e as te askush tjetër. Unë nuk dua dhe nuk do t’i transferoj ato kompetenca”, tha Hoti gjatë konferencës për media pas mbledhjes së qeverisë.

SHBA-ja kërkon rifillimin e dialogut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se pas heqjes së reciprocitetit – që shihej si pengesë për dialogun – palët tani duhet t’i kthehen tavolinës së bisedimeve.

Në një deklaratë dhënë për Radion Evropa e Lirë, ambasada amerikane në Prishtinë thotë se tani SHBA-ja pret rifillimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje të plotë.

“Mirëpresim vendimin e qeverisë në heqjen e të gjitha masave të ndërmarra kundër Serbisë dhe tani presim që të rinisë dialogu sa më shpejtë që të jetë e mundur. Njohja e plotë është në interesin më të mirë të Kosovës dhe rajonit për të siguruar stabilitet dhe prosperitet ekonomik”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane dhënë për REL.

Ndërkaq, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), ka mirëpritur shfuqizimin e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe njofton për rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin zgjidhjen e çështjeve të tarifave dhe heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe. MCC do të rinisë zbatimin e programeve në Kosovë. Mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit me popullin dhe Qeverinë e Kosovës, në punën tonë të përbashkët për të zbutur varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në njoftim.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit kishte njoftuar në mars për pezullimin e programeve në Kosovë, për shkak se në fuqi ishin ende tarifat kundër mallrave serbe. Vlera e një programi që MCC-ja pezulloi në muajin mars, kapte vlerën prej 50 milionë dollarësh.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE