Pas Podujevës edhe komuna e Mitrovicës Veriore pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi kryetari i saj mori detyrën e ministrit

Për muaj me radhë Podujeva ishte komuna e vetme në Kosovë pa kryetar komune, por asaj nga kjo e mërkurë i është bashkuar edhe një komunë tjetër e Kosovës, pasi kryetari i saj është bërë pjesë e qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Komuna e Mitrovicës Veriore së shpejti do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi kryetari i saj, Goran Rakiq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në qeverinë e re të Kosovës që u votua më 3 qershor.

Sipas Kushtetutës se Republikës se Kosovës, presidenti cakton dhe shpall datën zgjedhjeve, por deri më tash, nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për asnjërën nga këto dy komuna.

Për përfaqësuesin e shqiptarëve në këtë komunë, Bashkim Cimili, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal, është interesante nëse shkohet në zgjedhje edhe njëherë pasi i bie që të jetë hera e tretë që shkohet në zgjedhje brenda tri viteve.

Cimili në një prononcim për Gazetën Online Veriu.info theksoi se shkuarja në zgjedhje të reja është ligjore, por nga aspekti politik janë tre palë zgjedhje që organizohen për një mandat qeverisës, andaj duke pasur parasysh këtë dhe pandeminë sipas tij nuk është e rrugës të shkohet në zgjedhje të reja.

Por nëse vec merret vendimi për zgjedhje të jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, përfaqësues i shqiptarëve në këtë pjesë konsideron se vendimi për pjesëmarrje do të merret nga partia së cilës ai i takon, pra Partia Demokratike e Kosoves./Veriu.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE