Pas reagimit që i bënë Kosovës, këshilltari i Haradinajt i godet ashpër Mogherinin dhe Kocijançiqin

Shefi i delegacionit të Kosovës për bisedimet teknike me Serbinë, Avni Arifi ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vënë taksë 100% për produktet nga Serbia, nuk është veprim kundër komunitetit serb në Kosovë dhe asnjë komuniteti tjetër.

Ai ka thënë se vendimi është kundërshtues vetëm ndaj Serbisë për qasjen e saj karshi Kosovës.

“Ne në vazhdimësi jemi përpjekur që ta informojmë bashkësinë ndërkombëtare për veprimet e Qeverisë së Serbisë në territorin e Kosovës dhe abuzimin me marrëveshjet të cilat vet i ka nënshkruar dhe ndalesat e llojllojshme ndaj qytetarëve të Kosovës. Iu është ndaluar sportistëve pjesëmarrja nëpër gara në Serbi. Nëse jo çdo ditë, çdo javë arrestohet një qytetar i Kosovës në kufi me Serbinë dhe i mveshen akuza të llojllojshme. Kërcënimi ndaj pjesëtarëve të FSK-së. Krejt këto kanë bërë që të merret vendimi për taksën 100%”, ka thënë Arifi.

Arifi në Info Magazine ka thënë se edhe qasja e Bashkimit Evropian ndaj këtyre sjellje të Serbisë nuk ka qenë korrekte edhe pse Kosova ka njoftuar ata në vazhdimësi.

“Kocijançiq dhe shefja e saj [Federica Mogherini] kanë heshtur kur Serbia i ka bërë të gjitha këto. E pyesim Kocijançiq ku është marrëveshja për energji, asnjëherë s’ka reaguar BE-a për këtë, asnjë kompani nuk mund të konkurrojë në Serbi dhe për krejt këto kanë heshtur. Qytetarët tanë bastisen dhe rrahën veç pse flasin shqip, të gjitha këto ndodhin derisa Kocijancic dhe Mogherini bëjnë sehir”.

“Marrëveshjen e CEFTA-s këta [Serbia] e kanë shkelur, ata në vazhdimësi e shkelin atë. Republika e Kosovës është e gatshme për ofrimin e tregut të Kosovës për të gjitha ata që e njohin Republikën e Kosovës. Nëse tregu i Kosovës është i rëndësishëm për Serbinë duhet ta trajtojnë me respekt”.

SHPËRNDAJE