PDK me kritika për Qeverinë: Zbatojeni Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike prej 200 milionë eurove

Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kërkuar nga Qeveria që të zbatojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, duke ndarë 200 milionë euro për ato biznese që kanë pësuar humbje gjatë pandemisë.

Hamza në një konferencë për media tha se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa tani është koha që Qeveria të fillojë së zbatuari atë.

“E dimë që Ligji për Rimëkëmbje prej 200 milionë eurove është aprovuar në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar. Gjithashtu 30 milionë janë të ndara në atë ligj që të shkojnë për të gjithë të punësuarit që kanë humbë vendin e punës. Qeveria të zbatojë ligjin, kërkesa jonë konsiston në atë që zbatohet ligji. 200 milionë të aprovuara më ligj ti shpërndahen bizneseve”, tha Hamza në këtë konferencë.

Ai po ashtu tha se Gastronomia është sektori më i goditur, duke vazhduar më pas me kritika se masat e Qeverisë nuk kanë qenë të qarta.

“Gastronomia është sektori më i goditur nga pandemia, por jo i vetmi. Kur duhesh me mbyllë duhet me paralajmëru më herët. Shumë prej atyre ndërmarrjeve kanë ushqim e gjëra tjera që prishen. Duhet të ketë masa të qarta të sakta dhe të zbatohet ligji. Po dëgjoj se do merren vendime për qira e për paga, po përtej tyre ata kanë humbje tjera. Ka biznese që kanë kredi, obligime. Ai e ka fitimin e humbur, prandaj është kërkesë e jona. Ne do jemi shumë kërkues që të zbatohet ligji. Kërkojmë prej qeverisë një program të veçantë për rimëbmbjen ekonomike”, ka thënë Hamza.