Pence arrin në Korenë e Jugut

Nënpresidenti amerikan Mike Pence ka arritur në Korenë e Jugut, që shënon nisjen e turneut të tij dhjetëditor në rajonin e Azi-Paqësorit, pas rritjes së tensioneve në Korenë e Veriut për shkak të programit të armëve bërthamore.

Pence ka arritur në Seul sot, pas njoftimit nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara se Veriu ka dështuar të lansojë një raketë.

Ky dështim i Koresë së Veriut vjen pasi avionmbajtësit amerikanë janë nisur drejt Gadishullit Korean. Megjithatë, zyrtarët ushtarakë kanë thënë se SHBA nuk ka për qëllim që të përdorë forcë ushtarake ndaj Koresë së Veriut, në përgjigje të testeve bërthamore dhe lansimit të raketave nga Pheniani.

Pence, që shoqërohej nga gruaja e tij Karen, vendosën kurora me lule në Varrezat Kombëtare në Seul, gjatë një ceremonie. Ai pritet që të marrë pjesë në shërbimet kishtare së bashku me trupat amerikane dhe jugkoreane, për nderë të festës së Pashkëve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kur u pyet nga gazetarët gjatë kësaj jave për Korenë e Veriut tha : “Koreja e Veriut është problem. Problemi do të zgjidhet”. Ai në vazhdimësi ka deklaruar se nëse Kina – që është partneri tregtar kryesor i Veriut- nuk ka vullnet të bëjë më shumë për çëshjen e Veriut, SHBA do ta marrë përsipër zgjidhjen e kësaj çështjeje

SHPËRNDAJE