Për 18 ditë, Qeveria Kurti shkarkoi 26 zyrtarë

Qeveria Kurti mori detyrën më 3 shkurt, e për këto 18 ditë ka larguar nga pozita hiç më pak se 26 zyrtarë, duke nisur me drejtorin e Doganave ditë më parë e deri tek konsujt që u shkarkuan ditën e djeshme.

Viktima e parë e Qeverisë së re ishte Bahri Berisha, drejtori i Doganave të Kosovës. Ai u shkarkua në ditët e para të qeverisjes.

Pas kësaj, Albin Kurti mblodhi kabinetin e tij për t’u dhënë “izën” edhe koordinatorëve nacionalë. Rexhep Hoti, Mendim Rugova, Fatos Makolli, Besnik Tahiri e Avdullah Hasani nuk janë më në pozitat që mbajtën në Qeverisë e Haradinajt

Kurti ka shtyrë ministren Rozeta Hajdari që të merret me një prej temave më të zëshme të kohës së fundit. Ministrja e Kurtit kërkoi shkarkimin e Bordit të Telekomit, e cila gjë u konfirmua më pas. Besa Shatri-Berisha, Skender Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Fidel Krasniqi dhe Suzana Andjelkoviq, mbetën pa punë në Telekom.

Ndërkaq, edhe ministri tjetër i Kurtit, Glauk Konjufca, kontribuoj në zgjatjen e listës së viktimave të Qeverisë. MPJ vendosi të shkarkojë 14 konsuj.

Xheraldina Rexhepi, Festim Lushtaku, Kadri Balaj, Henor Pakashtica, Xhavit Gerbeshi, Ngadhnjim Makolli, Ramiz Ismajli, Ismet Hajdini, Modesta Imeri, Eshref Haxhiu, Kadri Gërvalla, Lutfi Bilalli, Liridon Sadrija dhe Diellza Hoti u kthyen në shtëpi.

Me gjithë këta emra, lista e të shkarkuarve ka shkuar në 26 në vetëm pak ditë. Madje Kurti ka paralajmëruar se kjo listë do të rritet.

“Dje e kemi shkarku Bordin e Ndërmarrjes Publike të Telekomit të Kosovës, do të vazhdojmë edhe me tjera, por nuk mund t’i bëjmë përnjëherë, sepse duhet që t’i ndjekim rregullat, ligjet me përpikëri, pra duhet t’i respektojmë edhe procedurat për rezultatet që i duam të gjithë bashkë”, tha dje Kurti.

Ndërkohë, dhënie e përgjegjësisë është kërkuar edhe për një çështje tjetër. Pas skandalit me (mos)njohjen e Xhamajkas, Konjufca ka paralajmëruar veprime edhe për çështjen në fjalë.

“Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit”, ka shkruar sot ai.

Ndryshe, Qeveria e re në fillim kishte paralajmëruar reforma në të gjithë sektorët. E këto pastrime, po komentohen edhe si “fshesa Kurti”.

Reporteri iu sjell listën e plotë me 26 viktimat e Albin Kurtit:

Drejtori i Doganave:

Bahri Berisha

Koordinatorët nacionalë:

Rexhep Hoti, Mendim Rugova, Besnik Tahiri, Avdullah Hasani dhe Fatos Makolli

Bordi i Telekomit:

Besa Shatri-Berisha, Skender Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Fidel Krasniqi dhe Suzana Andjelkoviq.

Konsujt:

Xheraldina Rexhepi – Konsulle në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë/Austri;

Festim Lushtaku – Konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Tiranë/Shqipëri;

Kadri Balaj – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Podgoricë/Mali i Zi;

Henor Pakashtica – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje/Bullgari;

Xhavit Gerbeshi – Konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Duseldorf/Gjermani;

Ngadhnjim Makolli – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kanberra/Australi;

Ramiz Ismajli – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi/EBA;

Ismet Hajdini – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragë/Çeki;

Modesta Imeri – Konsulle në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ëashington/Shtetet e Bashkuara të Amerikës;

Eshref Haxhiu – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Doha/Katar;

Kadri Gërvalla – Konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart/Gjermani;

Lutfi Bilalli – Konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Gjermani;

Liridon Sadrija – Konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës se Kosovës në Hamburg/Gjermani;

Diellza Hoti – Konsulle në Ambasadën e Republikës së Kosovës në EBA.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE