Për kontrolle të pacientëve, vendosen tenda në oborrin e Klinikës Infektive në Prizren

Në Spitalin Regjional të Prizrenit, pranë Klinikës Infektive, janë vendosur tenda ku pritet të kontrollohen pacientët të cilët kanë simptoma të coronavirusit.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Shëndetësisë, këto tenda janë vendosur në mënyrë që të bëhen kontrolla paraprake për personat të cilët dyshojnë se janë prekur me COVID 19 dhe për të parandaluar bartjen e infeksioneve brenda spitalit apo brenda institucioneve të kujdesit parësor.

“Në Planin e Veprimit të zbatimit të Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Koronavirusit Covid-10 është paraparë që në hyrje të Klinikës Infektive, Klinikës Emergjente dhe QKMF-ve të vendosen një apo më shumë tenda,

brenda të cilave do të ketë pajisje dhe personal shëndetësor, sipas nevojës, që do të bëjnë një kontroll paraprak të personave të cilët mund të kenë shenja të dyshimta për Covid-19, me qëllim të parandalimit të infeksioneve brenda spitalore apo brenda institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor.

Në tenda do të bëhet një kontroll paraprak si masë mbrojtëse edhe për personelin shëndetësor, por edhe për pacientët e tjerë që janë duke marrë shërbime shëndetësore në Klinikën Infektive, Klinikën Emergjente, QKMF apo në institucionet e tjera shëndetësore”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Nga 13 marsi deri më sot në Kosovë janë identifikuar 31 raste me coronavirus.

Sot gjatë ditës është shënuar viktima e parë e coronavirusit në Kosovë.

Lajmin për vdekjen e personit të parë me coronavirus e ka konfirmuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

“Klinika Infektive informoi se sot, pacienti 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës, ka përfunduar me vdekje më 22.03.2020 në ora 9.00.

Ky është rasti i parë me vdekje nga COVID 19. Pacienti lindur më 1938 fshati Dumnicë, Komuna Podujevës është pranuar në Klinikën Infektive më 16.03.2020 në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas është diagnostikuar në Laboratorët e IKSHPK me SARS-CoV-2. Pacienti ka patur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore (SPOK), thuhet në njoftimin e IKSHPK.

SHPËRNDAJE