Petrit Zogaj thotë se LDK po i keqpërdorë vijat e kuqe të VV-së

Drejtuesi i Lëvizjes Fol, Petrit Zogaj, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po e keqpërdorë pozitën e saj duke parë që Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur vija të kuqe ndaj subjekteve tjera politike.

Në emisionin Info Magazinë në Klan Kosova, Zogaj ka shtuar se zgjedhjet e reja nuk garantojnë rezultate skajshmërisht të ndryshme.

“Lidhja Demokratike e Kosovës po e keqpërdorë pozitën e saj duke parë që Lëvizja Vetëvendosje ka qitur disa vija për partitë tjera politike”.

“Edhe nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, nuk pritet edhe për një kohë që një subjekt politik t’i merr mbi 45 për-qind të votave”

“LDK duhet ta kuptojë se nga viti 2007 nuk ka fituar zgjedhje në Kosovë – nuk ka qenë partia e parë. Nuk do të duhej ta shfrytëzojë këtë pozicion të saj vetëm për shkak se VV është pozicionuar në atë mënyrë që të mos bashkëqeverisë me partitë që kanë qenë në pozitë para se vendi të shkojë në zgjedhje”.

“Arritja e koalicionit VV-LDK do të ishte mirë që të dështojë sa më shpejt nëse ky është qëllimi – mos të vazhdojnë deri në pafundësi këtë lloj komunikimi”.

“Do të doja që të shihej sa më shpejt fundi i negociatave midis këtyre dy subjekteve politike. Nuk është fundi i botës nëse shkohet në zgjedhje të reja”. Mirëpo është e pasigurt që do ta kemi entuziazëm të votuesve”.

“Mjaftueshëm janë dëmtuar këto dy partie përgjatë këtyre tre muajve. VV do të fajësohej mjaftueshëm për mungesën e kompromisit për ta formuar qeverinë. Ndërsa LDK do të fajësohej mjaftueshëm për sjelljet sikur i ka fituar zgjedhjet”.

“Zgjedhjet e reja nuk na garantojnë se do të kemi rezultate skajshmërisht të ndryshme”.