Plaka fiton gjyqin, kërkesa e saj u pranua!

Boshnjakja Fata Orloviç, 77 vjeçe, ka fituar gjyqin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për të shembur kishën që është ndërtuar në oborrin e shtëpisë së saj. Kisha ortodokse është ndërtuar nga serbët gjatë luftës së Bosnje-Hercegovinës, në një kohë që Fata Orloviç dhe familjarët e saj ishin larguar nga banesa.

Pas kthimit në fshatin Konjeviç Polje në afërsi të Srebrenicës, familjarët panë se një kishë ishte ngritur pa leje në oborrin e tyre, duke nisur që prej asaj kohe betejën ligjore për largimin e saj.

Edhe pse Gjykata e Bosnjes vendosi për shembjen e kishës, Gjykata e Lartë e Republikës Sërpska ndaloi vendimin dhe çështja përfundoi në GJEDNJ.

Tashmë GJEDNJ ka vendosur se ndërtimi i kishës në 1998 ishte i paligjshëm dhe ka urdhëruar autoritetet që të sigurojnë heqjen e saj brenda tre muajve, si dhe të paguajnë dëmshpërblim 5000 euro për Orloviçin dhe 2,000 euro për të afërmit e saj.

SHPËRNDAJE