“Po hetohet Llapi – Drenica, nën hetime edhe Feronikeli”

Prokurori dhe kryetari i Këshillit Kombëtar për luftimin e dukurive negative në sport, Besim Kelmendi, në emisionin sportiv “Favorit” në T7 ka treguar se janë grumbulluar informata lidhur me dyshimet për kurdisje të ndeshjes mes Llapit dhe Drenicës. Po ashtu ka njoftuar kanë nisur hetimet edhe për ndeshjen e Kupës mes Feronikelit e Ballkanit, pas akuzave të presidentit të “Niklit”, Naser Ramaj, i cili e ka quajtur të shitur gjyqtarin e asaj ndeshje.

“Për ndeshjen e fundit ne menjëherë kemi marrë informacione nga njerëzit që i kanë poseduar ato dhe kemi kërkuar si Këshill nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, sepse ajo është kompetente për këtë territor, që secili prokuror i rastit ta marrë me seriozitet të madh këtë dyshim dhe të verifikohen të gjitha pretendimet e secilit individ, në mënyrë që të dalë e vërteta në shesh”, ka thënë Kelmendi në emisionin e sportit “Favorit” në T7.

Ai ka treguar se Policia është autorizuar nga prokurori të nis intervistimi i të dyshuarve. ““Kemi kërkuar nga Policia të merret me urgjencë me këto raste dhe Policia është pajtuar”, tha ai.

“Prokurorët janë duke grumbulluar informata, kemi siguruar disa informata të cilat do të jenë shumë të rëndësishme për prokurorin që të vendosë se a do të ngre aktakuzë apo si do të veprojë. Do të thirren njerëz për të intervistuar”, u shpreh prokurori Kelmendi

Ndërkohë, pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Kosovës mes Feronikelit dhe Ballkanit, presidenti i klubit drenicas, Naser Ramaj, e akuzoi gjyqtarin se e kishte shitur ndeshjen, madje duke e quajtur atë“kriminel”.

“Ju e përmendet çështjen e deklarimeve, kur dikush thotë se është shitur apo blerë një ndeshje. Tani, sapo e mora informacionin nga prokurori që veçse është filluar rasti për një deklarim të tillë menjëherë”, ka thënë Kelmendi në “Favorit”.

I pyetur se a bëhet fjalë për Naser Ramajn, Kelmendi tha: “U përmend më herët, s’flas me emra. S’dua ta dëmtoj imazhin e askujt, por thjesht për këtë rast veç sa e mora konfirmimin se është iniciuar procedura për verifikim për atë që e ka thënë ai”, shtoi ai.

Më tutje, prokurori ka bërë të ditur se hetuesit kanë të drejtë edhe të kërkojnë përgjimin e personave të caktuar, nëse kjo shihet si e nevojshme dhe ka dyshime të bazuara për atë person.

“Futbollistë, trajnerë, zyrtarë të klubeve, pronarë klubesh, gjyqtarë, zyrtarë të ndeshjeve e të federatës, le ta kenë të qartë se ka përfunduar koha e kurdisjes së ndeshjeve, shkeljes së ligjit dhe mos me u përgjigj penalisht. Dënimet do të jenë serioze”, tha pos tjerash Kelmendi.

SHPËRNDAJE