Presidenti Thaçi përshëndet tërheqjen e neneve kontestuese të Kodit Penal

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes zyrës për informim ka përshëndetur largimin e neneve të propozuara 134/C dhe 134/D nga plotësim-ndryshimi i Kodit Penal, të cilat ndërlidhen me lirinë e shprehjes.

Në përgjigjen e zyrës së informimit të Presidencës thuhet se qysh në fillim të mandatit të tij, presidenti Thaçi kishte kërkuar rishikimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale me qëllim eliminimin e zbrazëtive ligjore.

“Presidenti qysh në fillim ka kërkuar që t’i kushtohet vëmendje e veçantë ndryshimit të dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale që kanë të bëjnë me veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Sipas Zyrës së Presidentit, motivi i ndryshimit të këtyre kodeve ka qenë ekskluzivisht forcimi i luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit.

“Presidenti mirëpret debatin konstruktiv për këto tema dhe përshëndet vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për tërheqjen e neneve kontestuese. Qysh në fillim presidenti ka kërkuar që të punohet drejt fuqizimit të këtyre kodeve, të cilat respektojnë të drejtat e njeriut dhe i përshtaten sistemit tonë gjyqësor duke adresuar specifikat e vendit tonë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Në fillim të mandatit të tij si President i Republikës së Kosovës, Thaçi kishte ngritur nevojën për plotësim-ndryshimit e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

SHPËRNDAJE