ProCredit, ‘shkelë’ të varfërit

Abedin Berisha deri më 1 tetor ka paguar vetëm 0.70 cent për mirëmbajtje të llogarisë së tij në ProCredit Bank.

Por gjërat kanë ndryshuar, nga kjo datë. Ai tani duhet t’ia paguaj nga 5 euro çdo muaj kësaj banke.

“Mua as që më kanë informuar. Nuk është se po bahemi shpi me 5 euro, ama na mytën ditë për ditë tu i rrit çmimet”, tregon Berisha, i cili planifikon ta ndrroj bankën.

Por, ai nuk do ta mbyllë llogarinë e tij pa kërkuar sqarime nga drejtuesit e saj.

“Llogarine nuk ka me mbyll, pa e kërku përgjegjësinë dhe arsyen e kësaj rritje. Por nëse vazhdon kjo shumë , unë normal që e mbylli dhe e hapi një llogari në ndonjë bankë tjetër e cila i ka ofertat më të mira”, ka thënë Berisha.

Por fat më të mirë në këtë punë ka pasur, Ermon Cërvadiku, i cili është njoftuar një muaj më herët për ndryshimet që do të bëhen.

“Sa i përket ndryshimeve të reja në tarifën e mirëmbajtjes nga ana e Procredit Bankës jam njoftuar përmes SMS me datën 29 Gusht 2018 “, ka thënë Cërvadiku.

E menjëherë pas këtij mesazhi ai është larguar dhe ka hapur llogari në një bankë tjetër.

“Menjëherë pas dy dite e kam mbyllur llogarinë në këtë bankë. Kosto prej 5 euro në muaj është shumë e lartë për një klient”, thotë ai.

Kjo politikë bankare, sipas Naim Gashit, njohës i ekonomisë po i përjashton qytetarët e varfër.

“Politika e çmimeve të cilën po e ndjek ProCredit Banka në fakt është një përjashtim i qytetetarëve të varfër dhe bizneseve të vogla. Ngadal po synon të profilizohet në një bankë e cila mbledh vetëm oligarkët e Kosovës dhe ata të cilët kanë buxhet të madh”, shpjegon Gashi, për inFokus.

Sipas tij, kjo bankë dinë shpesh të jetë edhe shumë diskriminuese, ku jo çdo kush mund të hapë llogari në të.

“Po ashtu kjo bankë ka edhe kritere të tjera diskriminuese, që nuk mundesh më hapë llogari nëse klienti ka një pagë nën 500euro. Për këtë kriter do të duhej të reagonte Banka Qendrore pasi që qytetarët e Kosovës janë qytetarë të lirë që mund të zgjedhin se ku të hapin llogari”, ka shtuar ai.

Banka Qendrore fajtor për diskriminimin e klientëve

Mendim të njëjtë për këtë bankë ndanë edhe drejtori i Odës së Afarizmit të Kosovës, Ismet Mulaj.

“ProCrediti është larguar nga klientët individual, e po mundohet me i marrë vetëm klientëte e medhenjë”, thotë Mulaj, duke vlerësuar si shkelje të rëndë këtë veprim.

Por përgjegjësinë për këtë shkelje, sipas Mulajt e ka Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

“Ata duhet ti mbikqyrin këto çështje”, thotë ai.

Kurse në BQK deklarojnë se ky institucion nuk është përgjegjës për përcaktimin e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që bankat në Kosovë i vendosin.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk përcakton çmimet e produkteve të bankave”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së.

Megjithatë, sipas Ahmetit, bankat duhet gjithësesi ti njoftojnë konsumatorët për ndryshimet që ato i bejnë.

“Bankat janë të obliguara të informojnë paraprakisht klientët lidhur me çdo ndryshim, përfshirë këtu edhe çështjen e shumës së mirëmbajtjes së llogarisë”, ka thënë Ahmeti për inFokus.

Klientët paguajnë për shërbimet që nuk I shfrytëzojnë

E në ProCredit Bank shpjegojnë se në kuadër të çmimit prej 5 euro që do të paguajnë klientët cdo muaj janë të përfshira shumë shërbime dhe jo vetëm ajo e mirëmbajtjes.

“Mirëmbajtja mujore ka të bëjë me përdorimin 22 shërbimeve të bankare, të nevojshme për të kryer punët bankare në komoditet dhe siguri të lartë”, ka thënë Albena Çarkaxhiu shefe e kominikmit në ProCredit Bank.

Sipas Çarkaxhiut, klientët e kësaj banke më parë kanë paguar në mënyrë të ndarë për këto shërbime.

“Vlen të cekët që për shumicën e këtyre shërbimeve klientët kanë paguar veç e veç, praktikë kjo e tregut bankar”, ka thënë ajo për inFokus.

Shumicën e shërbimeve të cilat i përmend Çarkaxhiu ish klienti i ProCredit Bankës, Ermon Cërvadiku thotë se as që i ka përdorur ndonjëherë, prandaj nuk e sheh të arsyeshme të paguaj për to.

“Këto shërbime unë si klient privat i kësaj banke asnjëherë si kam shfrytëzuar, dhe është absurde të paguaj diçka për të cilën nuk e shfrytëzoj”, ka thënë Cërvadiku. /Gazeta inFokus/