Prodhuesit ankohen se nuk po mund ta shesin qumështin: Kemi mbi 70 mijë litra në stoqe

Problemet e prodhuesve të qumështit janë diskutuar në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis

Ramadan Memaj kryetar i Këshillit ka thënë se janë grumbulluar 70 mijë litra qumështi në këta muajt e fundit. Sipas tij ka rënie edhe çmimit të grumbullimit të qumështit.

”I kemi më shume se 70 mijë litra qumësht dhe stoqe që janë bërë këta muajt e fundit. Ne e kemi edhe dukurinë e mbylljes së fermave. E kemi edhe çështjen e zvogëlimit të çmimit të grumbullimit të qumështit. Çmimi ka raste ku ka ra me 50 për qind. Pra edhe po të shitet qumështi i mbledhur fermerët me këtë rënie s’mund të mbijetojnë. Ne kemi kërkuar të parashihet zgjidhje e problemeve me të cilat jemi ballafaqu ndër vite. Hapa konkret s’ka pas dhe më e keqja është se janë neglizhuar në masë të pafalshme kërkesat tona”, tha ai.

Ai deklaroi se një pjesë e madhe e përpunuesve vendor përdorin vajin e palmës. Ai ka thënë se përdorimi i saj dëmton shëndetin e qytetarëve.

“Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës ka lejuar që vendorët të prodhojnë e eksportojnë produkti që as vet s’jua dinë përmbajtjen. Aspekti tjetër i këtyre produkteve ka te bëjë me shëndetin e qytetarëve. Ne e kemi sjellë edhe një paketim të produkteve që ne po flasim”, u shpreh Memaj.