Profesionet që paguhen më së shumti në Kosovë

Punëtorët që të paguhen më së shumti në Kosovë janë ata për furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 743 euro paga neto.

Tashmë edhe zyrtarisht statistikat tregojnë se kush paguhet më së miri në Kosovë e kush më keqe.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara këtë muaj bëjnë të ditur se nga bujqësia nuk ka fitim siç mendohet. ASK ka treguar se paga mesatare në këtë sektor është vetëm 237 euro neto.

Hiç më mirë nuk paguhen punëtorët që merren me shërbimet e ushqimit.

Ndërsa punëtorët që më së miri po del të paguhen janë ata për furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 743 euro paga neto. As sektori i informimit dhe komunikimit nuk qëndron keq.

Në bazë të këtij raporti paga mesatare e këtij aktiviteti është 635 euro.

Pas këtyre pason sektori i xehetarisë dhe gurëthyes me pagë mesatare 569 euro, administrata publike dhe mbrojtja, sigurimi social i detyrueshëm me 555 euro, arsim 523 euro dhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 508 euro.

Në sektorin që vdesin më së shumti punëtorët në vendin e punës, atë të ndërtimtarisë, paga mesatare neto është 421 euro.

Pagat në publik dhe privat

Paga mesatare bruto në Sektorin Publik në vitin 2012 ishte 407 Euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 Euro, që është një rritje për 166 Euro ose 40.8 për qind.

Ndërkaq, sektori Privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 Eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 Euro, një rritje prej 34 Eurosh ose 9.3 për qind.

Norma e pagës minimale është paga më e ulët e lejuar, zakonisht e rregulluar përmes ligjeve shtetërore. Në Kosovë, aktualisht paga minimale është e kategorizuar në 130 Euro për të punësuarit deri në moshën 35-vjeçare dhe 170 Euro për të punësuarit mbi moshën 35-vjeçare.

SHPËRNDAJE