Profil: Kryetarja e skandaleve që rrezikon falimentimin e “Telekomit të Kosovës”

Ende nuk i ka rënë në gjysmë mandatit tre vjeçar në postin e kryetares së bordit të Telekomit të Kosovës. Besa Shatri-Berishës, kryetares së bordit të “Telekomit të Kosovës”, i kanë mjaftuar vetëm gjashtëmbëdhjetë muaj që të bëhet e famshme. Jo për të mirë, por për shkak të veprimeve të dyshimta.

Është emëruar më 29 mars të vitit 2018 në këtë pozitë, bashkë me pesë anëtarë të tjerë.

Vetëm ajo dhe Osman Ejupi, i cili dha dorëheqje pas skandalit të punësimit të katër fëmijëve, kanë arritur që të mbahen mend. Të tjerët kanë qenë më të heshtur në publik.

Ajo e ka nisur keq mandatin në këtë post. Me nishanin e të qenit militante e AAK-së, pasi që është bashkëshortja e deputetit të kësaj partie, Bekim Berishës.

Megjithatë, nuk ka bërë asnjë veprim për të pastruar këtë njollë. E ka vazhduar edhe më keq. Është zhytur në vazhdimësi në skandale, duke nisur nga punësimi i familjarëve, aksidentimi i veturës zyrtare nga Bekë Berisha e deri te skandali i madh me kompaninë “Mazars”.

Punësimi i kunatës

Favorizim në punësim e gradë ka përfituar kunata e saj, motra e deputetit të AAK-së.

“Telekomi i Kosovës”, ka punësuar në qershor të vitit të kaluar Vesa Berishën. Është angazhuar nëpërmjet kontratës mbi vepër.

Fillimisht kishte gradën 2. Është avancuar në gradën 13 duke iu shumëfishuar paga e saj.

“Prej gradës 2 që e ka pasur, si punonjëse me kontratë mbi vepër, ajo pasi ka shkuar në pushim është bërë menaxhere në Departamentin e Burimeve Njerëzore, duke u ngritur në gradë nga 2 në 13”, kishte raportuar “Koha Ditore”, vitin e kaluar.

Besa Shatri-Berisha nuk i kishte dhënë përgjigje gazetës, kur ishte pyetur lidhur me këtë skandal.

Skandali i përdorimit dhe aksidentimit të veturës zyrtare

Ligji për ndërmarrje publike i pamundëson Besa Shatri-Berishës që të ketë në përdorim veturë zyrtare të “Telekomit të Kosovës”, meqe angazhimi i saj në bord është dytësor. Ka punë të rregullt tjetërkund. Është zyrtare në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Ky ligj ishte shpërfillur. Një Range Rover ishte marrë në shfrytëzim nga ajo.

Megjithatë, skandali ishte më i thellë. Kjo veturë ishte vozitur edhe nga bashkëshorti i saj.

Madje, deputeti kishte bërë aksident me këtë veturë, pati raportuar “Kohavisioni”, në mars të këtij viti.

Deputeti i AAK-së aksidentin veturën e Telekomit

Një shëtitje në malet e Dukagjinit e deputetit të AAK-së Bekë Berisha, do t’i kushtojë Telekomit të Kosovës afërsisht 9 mijë euro.

Kjo pasi ai dyshohet se u aksidentua me veturën e Telekomit, të cilën, që nga marsi i 2018-s, e ka vozitur bashkëshortja e tij, Besa Shatri-Berisha, e cila është kryesuese e Bordit të Telekomit, raporton KTV.

Por deputeti Berisha nuk e ka pranuar aksidentin, duke refuzuar të japë sqarime për KTV-në.

Kryetarja e bordit të Telekomit të Kosovës në një përgjigje dhënë për mediumin e kishte mohuar aksidentin.

Por, kishte konfirmuar se ka në shfrytëzim një “Range Rover”, të ndërmarrjes publike.

Kishte pohuar se ka një muaj që nuk e ka parë veturën dhe i është thënë se “Ajo është bllokuar dhe është dërguar diku për servisim”.

Shuma e servisimit të kësaj veture kapte vlerën e 9 mijë eurove.

Skandali me firmën partnere të babait të saj

Insajderi ka zbuluar se “Telekomi i Kosovës”, ka lidhur marrëveshje me një kompani auditimi, e cila ka marrë obligime për të rekomanduar vazhdimin apo mos vazhdimin e kontratës me “Z-Mobile”.

Është paguar dhjetëra mijëra euro kompania “Mazars”, nga Shqipëria për të kryer këtë punë.

Kjo kompani ka qenë partnere në projekte auditimi me kompaninë “Audit Conte”, që është në pronësi të Ymer Shatrit, babait të BesaShatri-Berishës, kryetares së bordit të Telekomit të Kosovës.

Insajderi ka zbuluar se kishte pasur konkurrent që kishte ofertuar me çmim më të lirë se sa “Mazars”. Mirëpo, tenderi ishte anuluar. Ishte rishpallur dhe kishte konkurruar vetëm “Mazars”, e cila ka ofertuar me çmimin prej afro 100 mijë eurosh.

“Telekomi i Kosovës”, asnjëherë nuk ka dhënë përgjigje se pse është kontraktuar kjo kompani, e cila është e ndërlidhur me kryetaren e bordit të “Telekomit të Kosovës”.

Mashtrimi i publikut nga kolegu i saj, Bedri Istrefi

Besa Shatri-Berisha kryetare e bordit të drejtorëve të Telekomit të Kosovës dhe Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes, mbajtën fshehur para publikut detajet e raportit të dyshimtë të kompanisë “Mazars”.

Ata në konferencën e 30 korrikut iu përgjigjen gazetarëve se raporti i kësaj kompanie është mbrojtja e ndërmarrjes publike, në rast se “Z-Mobile”, do ta padisë sërish në arbitrazh ndërkombëtar “Telekomin e Kosovës”

“Na jemi të gatshëm në çdo moment, në çdo formë, në çdo rrethanë, të gjitha veprimet që i kemi marr i kemi marr me kontinent të plotë me ekspertizë të jashtme ligjore që e kemi angazhua dhe ekspertizën e jashtme financiare”, pati deklaruar Istrefi gjatë konferencës.

Gjatë kësaj konference, Istrefi dhe Shatri-Berisha i referoheshin ekspertizës financiare të bërë nga kompania “Mazars”.

Por, sa i qëndron mbrapa “Mazars”, ndërmarrjes publike në rast të padisë së sërishme në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit?

Insajderi ka zbuluar se kjo firmë nuk do ta bëjë dhe se raportin e ka bërë bazuar në kërkesën e menaxhmentit të ndërmarrjes publike.

Megjithatë, edhe më i çuditshëm është fakti se vetë Besa Shatri- Berisha kur është marrë në pyetje nga deputetet e komisionit hetimor parlamentar ka dhënë tjetër version me atë që “Telekomi i Kosovës”, shprehte në konferencën e datës 30 korrik.

“Z-Mobile po përgatitet për një arbitrazh të ri, Telekomi nuk është gati”, ka thënë Shatri-Berisha para deputetëve.

Ndryshimi i qëndrimeve në “Telekomin e Kosovës”, lidhur me Arbitrazhin shpërfaqë konfuzitet te publiku. Nxitë dyshime për marrje të vendimeve skandaloze nga ana e tyre.

Këto deklarime të drejtues vetë “Telekomit të Kosovës”, që fillimisht pohojnë se janë të gatshëm për Arbitrazh dhe ditën tjetër se nuk janë të gatshëm, nxisin dyshime se kjo ndërmarrje publike do të dëmtohet sërish nga vendimet gjyqësore. /Insajderi

SHPËRNDAJE