Programi prej 58 faqes i qeverisë Hoti, përcaktohen kompetencat e Thaçit në dialog me Serbinë

Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin e saj, Avdullah Hotin, sot ka miratuar programin e saj qeverisës për vitet 2020 – 2023. Përveç prioriteteve të kësaj qeverie, që janë menaxhimi i pandemisë dhe rimëkëmbja e ekonomisë pas koronavirut, në planin e saj thuhet se ekzekutivi do të jetë palë negociuese në dialog, derisa presidenti do të përfaqësojë vendin.

Në pikën 7.3 të programit qeverisës ceket cështja e dialogut Kosovë – Serbi. Aty thuhet se palë negociuese do të jetë ekzekutivi (qeveria), e cila i raporton Kuvendit të Kosovës, derisa presidenti përfaqëson vendin në bazë të kompetencave kushtetuese.

“Palë negociuese në dialog do të jetë Qeveria, e cila i përgjigjet Kuvendit, ndërkaq presidenti e përfaqëson vendin në bazë të kompetencave kushtetuese”.

Në kuadër të programit për Rimëkëmbjen Ekonomike pas Pandemisë COVID-19, Qeveria Hoti ka paraparë grumbullimin e mjeteve që do të dedikohen për qëllime të mbështetjes ekonomike dhe sociale për të tejkaluar pasojat e pandemisë.

Qeveria e re ka paraparë shtimin e presionit për zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Në këtë kontekst, do të intensifikohet puna e institucioneve kompetente në sigurimin e informatave për lokacionet e reja apo përmbylljen e rasteve të hapura, si dhe trajtimi sa më parë i mbetjeve mortore. Qeveria e Kosovës do të trajtojë me prioritet viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke siguruar mbrojtjen institiconale të kësaj kategorie nga stigmatizimi shoqëror”, thuhet në dokument.

Për ta parë programin e qeverisë klikoni këtu

Programi-Qeverises-2020-2023-draft-2020.05.29

Në ekzekutivin që udhëhiqet nga Avdullah Hoti është paraparë që të punohet edhe në zbatimin e vetingut institucional.

Sa i përket politikës së jashtme, në program theksohet se, politika e jashtme e Kosovës do të jetë reflektim i politikës së brendshme dhe në funksion të ndërtimit, ruajtjes e thellimit të marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë dhe me shtete të tjera, ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, rendit kushtetues, lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Kosovës brenda dhe jashtë vendit dhe garantimit të sigurisë së saj shtetërore. Orientimet dhe prioritetet kryesore në fushën e politikës së jashtme do të jenë në fushat në vijim.

“Kosova do të flasë me një zë të vetëm në politikën e jashtme dhe Qeveria do të hartojë qëndrimet e politikës së jashtme, të cilat do të promovohen nga të gjitha institucionet. Orientimet dhe prioritetet kryesore në fushën e politikës së jashtme do të jenë në fushat në vijim, të ndara në prioritete politike dhe ato funksionale”, thuhet në dokument.

Qeveria do të angazhohet për reciprocitet të plotë të të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe serbëve që jetojnë në Kosovë, duke e konsideruar këtë si një nga kushtet thelbësore për zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve të interesit të ndërsjellë, thuhet tutje.

Në këtë program qeverisës theksohet se Qeveria do të fillojë procedurat për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, vazhdimin e autostradës në drejtim të Podujevës dhe pikës kufitare, ndërtimin e autostradës së Anamoravës, autostradës për Mitrovicë dhe rrugët e tjera të rëndësisë nacionale që sigurojnë lidhje me rrjetin infrastrukturor rajonal dhe ndërkombëtarë. Në parim, investimet në infrastrukturën kryesore në nivel vendi që kanë kosto të lartë do të financohet kryesisht përmes kredive të buta ose përmes partneriteteve publiko-private, e cila formë e investimit të infrastrukturës nuk do ta rrezikojnë buxhetin e shtetit.

SHPËRNDAJE