Prokurori autorizon Policinë për të hetuar shitjen e biletave

Pamundësia për t’u qasur në faqen e autorizuar për të blerë bileta për ndeshjen Kosovë-Angli, ka shkaktuar irritim tek futbolldashësit kosovarë.

Madje, edhe zyrtarë të shtetit kanë bërë thirrje që kjo gjë të hetohet pasi, siç dyshohet nga të gjithë, po potencohet se ka manipulime.

Pas këtij zhvillimi, Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me shitjen e biletave, duke shtuar se kjo do të jetë pjesë e hetimeve paraprake.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se ka autorizuar njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, në mënyrë që të verifikohen dyshimet e ngritura, si dhe për grumbullimin e të gjitha informatave lidhur me shitjen e biletave online për ndeshjen futbollistike të Kosovës me Anglinë. Sa për informatën tuaj.

Prokuroria e Shtetit ka filluar hetimet që nga 15 tetori 2019, lidhur me shitjen e biletave online për ndeshjen futbollistike të Kosovës me Malin e Zi, gjë për të cilën është njoftuar opinioni publik dhe se tashmë hetimet janë duke vazhduar”, ka thënë Prokuroria e Shtetit.

Sidoqoftë, kompania “Tick.app” po arsyetohet se ka pasur një sulm kibernetik çka, sipas tyre, e ka sjellur bllokimin e faqes. Mirëpo, ata konfirmuar më pas se mbi 10 mijë bileta veçse ishin shitur.

Ndryshe, problem me bileta është shfaqur në vazhdimësi. Edhe për shitjen e biletave për ndeshjen me Malin e Zi, Prokuroria kishte nisur hetimet, por duke mos sjellur asnjë detaj lidhur me to./Reporteri.net

SHPËRNDAJE