Pronari i kompanisë, Hashim Thaçi: Punëtori nuk ra nga skelet, e barti era nga plloqa

Dita-ditës në Kosovë veçse po rriten rastet e vdekjes së punëtorëve të ndërtimit deri sa po punojnë për të siguruar të ardhurat e tyre. Nga janari e deri më sot në Kosovë kanë vdekur 17 punëtorë të ndërtimit.

Rasti i fundit ka të bëjë me një punëtor të moshës 53 vjeç i cili pasditen e djeshme ka gjetur vdekjen në vendin e punës, pasi që kishte rënë nga skelet gjersa ishte duke punuar. Ai punonte në një ndërtesë të kompanisë “Lirimi” në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

E bashkëpronari i kompanisë “Lirimi”, Hashim Thaçi i tha Ndërtimi.info se i ndjeri nuk ka vdekur në vendin e punës, por në spital.

“Nuk ka vdekë në vendin e punës, është lënduar në vendin e punës a në spital ka vdekur”, tha Thaçi.

Se punëtori ka qenë në skele kur u rrëzua e ka mohuar pronari Thaçi. Ky i fundit po thotë se i ndjeri ka qenë në plloqë por që erërat e forta e kanë rrëzuar mbrojtëset.

“Nuk ka qenë në skele punëtori, ai ka qenë në plloq por era e ka rrëzu rrethojën që janë kon mbrojtëset dhe erërat e forta e kanë shty edhe atë mbrapa saj”, tregon ai.

Marrë parasysh erërat e forta që mbizotëruan dje, qytetarëve iu ishte bërë thirrje që të mos dalin në ambiente të hapura, edhe përkundër kësaj në disa video të publikuara në rrjetet sociale shihen punëtorët e ndërtimit që edhe në ato kushte detyroheshin të punonin.

Megjithatë, Thaçi thotë se kompania e tij iu ka bërë thirrje punëtorëve që të ndërprenë punën, duke mos qenë i saktë në orë.

Sipas Thaçit, i ndjeri gjeti vdekjen pasi ishte kthyer ta largonte një dru i cili më pas mund ta rrezikonte jetën e ndonjë kalimtari në parking.

“Realisht atë e kemi dëshmu edhe me thirrje telefonike që i ka ndërprerë punimet vëllau im që është përgjegjës i punishtes. E ka thirr përgjegjësinë aty ka ora 3 ose 4 dhe i kanë ndërpre punimet. Mirëpo gjatë zbritjes te poshtë, punëtori e ka pa që ka mbet një dru aty dhe ka thënë mos të bjen me lëndu dikë poshtë në parking ta hjeku. Por në momentin që ka shkuar ai aty edhe ka ra”, tregoi Thaçi për Ndërtimi.info

Thaçi thotë se pronarët e kompanisë janë marrë në pyetje nga Policia e Kosovës, por duke mos dhënë më shumë detaje.

“I kemi dhënë deklaratat i kemi kry të gjitha. Tash të shohim tjerat”, tha shkurt ai.

Ndërkohë, Inspektorati i Punës e konsideron papërgjegjësi nga ana e pronarëve nëse punëtorët janë obliguar të punojnë edhe dje, përkundër kushteve klimatike. Megjithkëtë, as vetë inspektorët gjatë ditës së djeshme nuk monitoruan punën në teren.

“Ne nuk kemi pas as qysh me inspektu, edhe ne është dashtë me ndejt brenda se edhe neve na merr era, edhe ne nuk e kemi ditë që ndodhë kjo, ka qenë e papritur, ka qenë çështje klimatike ne nuk mundemi me prit. Nuk dimë çka ka ndodh por ka qenë vërtetë ka qenë një erë shumë e fortë dhe unë kam qenë në rrugë. Por këtë mundemi me pa këtë eventualisht prej rasteve të lëndimit apo aksidenteve, por e konsideroj papërgjegjësi të punëdhënësit nëse i lejon-obligon edhe në ato rrethana me punu”, tha kryeinspektoriati i Punës Basri Ibrahimi për Ndërtimi.info

Ibrahimi nuk ka dhënë shumë detaje për rastin meqë siç tha ai, inspektorët janë në teren dhe më pas do të dihet se si ka ndodhur rasti.

Ndërsa, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi për Ndërtimi.info tha se Qeveria bashkë me institucionet e saja ka dështuar t’i mbrojë punëtorët, duke theksuar se gjithçka që thuhet nga ta është e kotë dhe propagandë.

“Qeveria dhe insistucionet e saj ka dështuar në mbrojtjen dhe sigurinë e punëtorit se nuk ka bërë asgjë për punëtorët. Faktikisht janë të kota dhe propaganda ato që del ministri e institucionet tjera thonë se iu vjen keq. Nuk kemi çka të shtojmë përpos asaj që kemi thënë më herët krejt çka po bëjmë vetëm po flasim dhe rasti po harrohet”, tha Azemi.

Azemi theksoi se për vetë faktin që ka pas erëra të forta dje nuk është dashur të lejohen punëtorët të punojnë, mirëpo siç thotë ai për pronarët e kompanive me rëndësi është të kryhen punët por jo edhe jeta e punëtorëve.

“Kemi 17 raste të vdekjes në vendin e punës dhe realisht është më i madh se vitin e kaluar. Është rekord me numrin e vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës. Vetë fakti që ka pas frymë dje por edhe në kushte normale janë skele të cilat pa kurrfarë sigurie, të bënë me dije që jeta e punëtorit nuk qonë peshë. Për pronarët e kompanive me rëndësi është që ta kryejnë punën, ta marrin fitimin e tyre personal dhe për jetën e punëtorëve nuk qanë kokën askush. Nuk është dashur dje të punohet, por merreni me mend kur të imponohet. Dhe është e vërtetë që gjendja e punëtorit po të shtin me punu edhe në frymë edhe në stuhi, sepse 5 minuta nuk ia kryen punë pronarit të kompanisë ai sanksionohet me kohë të tëra”, potencoi Azemi.

Rikujtojmë që pak ditë më parë Ministri i Punës dhe Mirëqenies, Skender Reçica, ka thënë se ai nuk ka pranuar asnjë denoncim për kushte të rënda në vendin e punës. Në të njëjtën ditë ai ftoi të gjithë ata që kanë probleme në punë të bëjnë denoncime.

“Është problem shumë i madh çështja e sigurisë në punë. Realisht gjendja e punonjësve nuk është në nivelin që unë dua. Dua të them publikisht se tek unë për një vit akoma asnjë denoncim nuk ka ardhur për kushte të rënda në punë”, kështu pati deklaruar Reçica në Info Magazine ku është diskutuar për sigurinë e punëtorëve në vendet e tyre të punës, pasi vetëm brenda nëntë muajve 17-të persona që kanë vdekur në punë.

SHPËRNDAJE