Pse lakuriqët e natës jetojnë me koronavirusin dhe njerëzit jo? Zbulimi i shkencëtarit jep shpresë për të ardhmen!

Një nga ekspertët kryesorë të botës në studimin e sëmundjeve infektive ka bërë një zbulim se pse lakuriqët e natës nuk sëmuren, ndërsa mbartin viruse zoonotike që mund të rezultojnë fatale për njerëzit dhe kafshët e tjera.

Zbulimet mbi imunologjinë e lakuriqëve të natës nga profesor Wang Linfa, biolog, i cili ishte një nga tetë shkencëtarët që zbuluan se lakuriqët e natës ishin ata që mbartën dhe përçuan SARS-in në 2003-shin, sigurojnë disa të dhëna të rëndësishme që mund të shërbejnë për kërkimet e së ardhmes, mbi sëmundjet njerëzore.

Deri më tani, provat tregojnë se virusi që ka infektuar 43.5 milionë njerëz dhe ka vrarë më shumë se 1.1 milion në të gjithë botën e ka origjinën në lakuriqët e natës, kafshë që sipas profesorit Linfa kanë evoluar në mënyrë unike dhe strehojnë viruset.

Sipas hulumtimeve të tij, lakuriqët e natës tashmë kanë adoptuar strategji të shumëfishta për të zvogëluar reagimet proinflamatore, duke dobësuar sistemin e tyre imunitar, për të kufizuar rrezikun e dëmtimit të indeve dhe sëmundjeve.

Në rast të kundërt, kur këto viruse kalojnë te njerëzit mund të kenë një ndikim vdekjeprurës dhe shkatërrues.

Nëse mekanizmat e përdorur nga lakuriqët e natës për të mbrojtur veten nga viruset patogjene mund të përsëriten te njerëzit, profesori Wang shpreson që sëmundjet si Covid-19 mund të menaxhohen për të shmangur gjendje të rënda ose vdekje.

“Supresioni i reagimeve inflamatore tepër aktive përmirëson jetëgjatësinë dhe parandalon dobësimin e lidhur me moshën te njerëzit. Gjetjet tona mund të ofrojnë njohuri të mundshme për zhvillimin e strategjive të reja terapeutike që mund të kontrollojnë dhe trajtojnë sëmundjet infektive njerëzore. Inflamacioni është çelësi. Ne e dimë nga studimet se inflamacioni është një thikë me dy presa. Kur keni sasinë e duhur të inflamacionit jeni të mbrojtur dhe kur keni shumë ose pak, mund të vuani nga sëmundje patogjene ose të vdisni. Ne që ndjekim viruset kemi një klishe, që shumë pak viruse na vrasin neve dhe ne vrasim veten.” -tha profesor Wang për Telegraph.

Covid-19 është një shembull i përsosur, pasi i njëjti virus nuk mund të shfaqë simptoma të lehta në 80-85 njerëz nga 100, por e vret një person.

“Është një tregues i qartë se është reagimi imunitar i njeriut që bën ndryshimin në rezultatin e infeksionit.”-tha ai.

Studimi nga Profesor Wang qartëson enigmën pse lakuriqët e natës nuk preken nga viruset vdekjeprurëse që mbartin në trupat e tyre. Ekipi shqyrtoi tri specie lakuriqësh, Pteropus Alecto, në Australi, Eonycteris spelaea, në Azinë Juglindore, dhe lakuriqi i myotës së Davidit, i cili është i zakonshëm në Kinë.

Te të tre, shkencëtaret identifikuan mekanizma të ndryshëm që ekuilibrojnë aktivitetin e proteinave kryesore që luajnë një rol të madh në ndërmjetësimin e imunitetit dhe reagimeve inflamatore te gjitarët, duke u mundësuar lakuriqëve të natës të shmangin pasojat e dëmshme të aktivizimit imunitar.

Një nga mekanizmat që përdorin lakuriqët është zvogëlimi i niveleve të kaspazës-1, një proteinë që shkakton një tjetër proteinë kyçe inflamatore citokine, interleukin-1 beta. Një mekanizëm tjetër që ata përdorin pengon maturimin e citokinave interleukin-1 beta përmes një ekuilibrimi të akorduar mirë të proteinave.

Procesi i transformimit të zbulimeve në trajtime shpëtuese për njerëzit mund të zgjasë me vite thotë profesor Wang, por ama janë në drejtimin e duhur./K.C/dritare.net