Pse LDK e pranon Thaçin prijës të negociatave sipas Shkëlzen Maliqit?

Partitë politike e kanë kundërshtuar vazhdimisht udhëheqjen e Dialogut me Serbinë, nga Presidenti Hashim Thaçi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë më e zëshmja në këtë çështje, megjithatë kohët e fundit kjo parti që nga kthimi i Isa Mustafës në aktivitetin e tij politik, me gjasë kanë zbutur qëndrim. Kjo vërehet edhe nga deklarimet e vetë zyrtarëve të LDK’së, të cilët nuk e kundërshtojnë më haptazi rolin e Thaçit si kryenegociator.

Analisti Shkëlzen Maliqi, e arsyeton këtë qëndrim të partisë së Mustafës, duke thënë se LDK’ja gjithmonë ka theksuar se është parti institucionaliste dhe bën kompromise në të mirë të interesit të përgjithshëm.

“LDK-ja gjithnjë thekson se është parti institucionalste, që udhëhiqet me interesin e pergjithshem dhe mendoj se kjo është arsyeja që e ka zbutur qëndrimin ndaj rolit udhëheqës të Presidentit në dialogun me Serbinë. Kjo nuk do te thotë se LDK e pëlqen, Presidentin“, ka thënë Maliqi për Gazetën Express.

BE ka paraparë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë deri në fund të këtij viti, ose në pranverën e vitit 2019. Për këtë shkak Maliqi thotë se ky limit kohor e bën të pamundur zëvendësimin e Thaçit me dikë tjetër për të udhëhequr dialogun.
“Rrethanat do të ishin kundër dhe për përfaqësim tjetër, por e dinë se për këtë nuk ka kohë. BE dhe SHBA kanë paraparë përfundimin e dialogut deri në fund të vitit ose në pranverë të vitit 2019 , dhe kjo nuk e ben të mundshme arritjen e shumicës për zëvendësimin e Thaçit me dikë tjetër”

Maliqi ka thënë se qëllimi i atyre që kërkojnë zëvendësimin e Thaçit me dikë tjetër nuk është i motivuar vetëm kundër Presidentit, por ata synojnë rrënimin e procesit të dialogut, gjë e cila nuk përkrahet nga partnerët ndërkombëtarë.

“Po kështu, LDK e di se qëllimi u atyre që kërkojnë zëvendësimin nuk është i motivuar vetëm kundër Presidentit, por ata synojnë rrënimin e vet procesit të dialogut duke u kthyer në një pikë zero me shume të panjohura që nuk përkrahet nga sponsoret ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës. LDK-ja eshte “bashkëpërgjegjëse” ose më saktë përkrahëse e dialogut dhe marrëveshjeve të arritura dhe beson se nuk ka alternativë realiste që ai të zëvendësohet me diçka tjetër”

Ndërkohë nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri në një postim të tij në Facebook, ka lënë të kuptohet që partia e tij do që t’i bashkohet presidentit të vendit, Hashim Thaçi, në dialog me palën serbe.

“Më e rëndësishmja është që LDK do ta tuaj unitetin e saj të brendshëm dhe nuk ka kush që hyn në mesin tonë për asnjë proces dhe zhvillim politik. Aq më pak të ndahemi për Veselin, Haradinajn apo Thaçin, të cilët janë pjesë e koalicionit të ‘vendimeve të mëdha’. Pa LDK dhe konsensusin politik të Kuvendit nuk ka sukses në dialog”, ka shkruar Haziri.

Kujtojmë se Serbia kishte ndërprerë bisedimet me Kosovën, pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit në Veri të Mitrovicës në janar të këtij viti, ndërsa synimi i Bashkimit Europian është që bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë fillojnë në fund të qershorit.

SHPËRNDAJE