Pse po i frikësohet krahu i Albin Kurtit, largimit të Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut

Pasi ka zbuluar edhe elaboruar atë që është duke ndodhur brenda Vetëvendosjes me një disponim dukshëm kundër Albin Kurtit, Visar Ymeri është gozhduar nga zyrtarët seniorë të kësaj lëvizje.

Ymerin, i pari e ka sulmuar veterani i VV’së Liburn Aliu, i cili megjithatë është kujdesur që t’i kursejë Shpend Ahmetin dhe Daradan Sejdiun, por duke mos u kursyer kundër Dardan Molliqajt.

Bashkëpunëtorët e Albin Kurtit janë kujdesur që ta granatojnë menjëherë Visar Ymerin pas një interviste të mbrëmshme televizive. Aty Ymeri shfaqi pakënaqësinë për demokracinë e brendshme brenda VV’së duke aluduar qartë se fajtori për këtë është Albin Kurti, derisa haptazi morri në mbrojtje Dardan Molliqajn.

Por, ajo që ka nervozuar më së shumti njerëzit besnikë të Albin Kurtit janë deklaratat e Ymerit në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, të cilin ai duket se po heziton ta thërrasë. Por, zyrtarë të VV’së si Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Fitore Pacolli dhe figura të kësaj lëvizje në Shqipëri, menjëherë janë hedhur në aksion për ta kundërshtuar Ymerin në këtë pikë. Të gjithë e kanë kërkuar mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

Liburn Aliu edhe pse jo me tone dashurie ndaj Kurtit, ka gozhduar Ymerin duke e akuzuar se po tenton t’ia pamundësojë kandidimin për kryetar të VV’së.

“Definicioni i demokracisë së brendshme aplikohet nëpërmjet mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, zbatimit të frymës dhe gërmës së statutit edhe përmes zgjedhjeve të brendshme. Ku çdokush ka të drejtë të kandidojë për Kryetar të Lëvizjes përfshirë dhe Albin Kurtin.

Antidemokratike madje në kundërshtim të frymës e germës e statutit është që dikush brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! të vendosë kushte, e madje të shantazhojë me tendencën për të eliminuar dikë nga kandidimi për kryetar. Kjo jo vetëm që është e papranueshme por është e dënueshme” kishte shkruar Aliu.

Por, Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës është treguar më i ashpër me Molliqajn duke thënë se ai ka shantazhuar në mbledhjen e Kryesisë së VV’së duke thënë se nëse Albin Kurti kandidon për kryetar ai do të largohet nga ky subjekt.

Derisa ka folur me tone të ashpëra ndaj Ymerit e Molliqajt, Aliu i ka marrë në mbrotje Shpend Ahmetin dhe Dardan Molliqajn.

Ai ka thënë se Ahmeti asnjëherë nuk i është nënshtruar Molliqajt si kryetar i Prishtinës, ndërsa ka mbrojtur edhe Dardan Sejdiun i cili e kishte bërë “share” në facebook se Visar Ymeri do të japë një intervistë për gjendjen në VV. Aliu ka thënë se edhe vet ka menduar se Ymeri do të flas me tone unifikuese për gjendjen në parti.

Nuk dihet se cili mund të jetë motivi që Aliu ka mbrojtur Sejdiun dhe Ahmetin – për shkak të raporteve që kanë krijuar gjatë punës në Komunë apo për shkak të frikës se largimi i tyre nga VV’ja mund ta dëmtojë pariparueshëm këtë lëvizjen për shkak të numrit të votave.

SHPËRNDAJE