“Që nga shpallja e pavarësisë, nafta kurrë s’ka qenë më e shtrenjtë”

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është ankuar haptazi për çmimin e lartë të naftës, në veçanti për bujqit kosovarë.

Kurti ka thënë se që prej shpalljes së pavarësisë, nafta kurrë s’ka qenë me  e shtrenjtë.

Tutje si në kohë zgjedhjesh Kurti ka bërë një premtim partiak, duke thënë se me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje lirohet nafta për traktorët e bujqve që do ta punojnë tokën dhe hiqen xhipat e shtrenjtë.

Postimi i plotë:

Që prej shpalljes së pavarsisë, nafta kurrë s’ka qenë më shtrejtë: 1 litër = 1 euro e 22 centë. Edhe më kaherë se kaq, nuk ka pasur këso thatësie në muajt tetor e nëntor. Shumë bujq sivjet nuk kanë mbjellë fare, kurse atyre që kanë mbjellë nuk po iu mbin fara. Shumë moti bujqësia kosovare s’ka qenë kaq dobët e importi kaq i lartë.

Sistemet e ujitjes janë me shumë defekte teknike dhe pa investime qeveritare. Arat pa ujë shiu prej qielli, janë edhe pa ujitje kanalesh tokësore. Sipër tyre, traktorë të rrallë e që të gjithë të vegjël. Fara e plehu edhe të shtrenjta edhe pa cilësi. Një shtet që e lë tokën e vet djerrë, nuk ka çfarë korr.

Sot po shtohen xhipat qeveritarë, që e kanë naftën e lirë ashtu siç duhet ta kishin traktorët e bujqve të cilët s’po kanë llogari të punojnë tokën. Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nesër, lirohet nafta për traktorët e bujqve që do ta punojnë tokën dhe hiqen xhipat e shtrenjtë, sepse popullit i duhet dhënë llogari.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE