Qeveria Haradinaj i përgjigjet ashpër “ultimatumit” të Hashim Thaçit për Demarkacionin

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur “ultimatumit” që ka dhënë presidenti i vendit, Hashim Thaçi për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.Në një deklaratë të dhënë për Gazeta Blic, këshilltari për media i kryeministrit, Halil Matoshi ka thënë se janë në pritje të të gjeturave të komisionit të ri për demarkacionin dhe pastaj do të veprojnë.“Qeveria e Kosovës është në pritje të komisionit të ri shtetëror që t’i paraqet para Qeverisë të gjeturat në teren dhe pastaj do të shihen hapat tjera të mëtutjeshëm. Dhe në këtë kontekst Qeveria e Kosovës duke punuar në krijimin e e një konsensusi ndërinstitucional sa i përket kësaj çështje”, ka thënë Matoshi për Gazeta Blic.

Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë datë se kur do ta dërgojë për ratifikim në Kuvend çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.Ndryshe gjatë ditës së sotme presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka inkurajuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës që pa vonesa ta ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacion e kufirit me Malin e Zi, sipas versionit të nënshkruar në vitin 2015.“Unë qëndroj fuqishëm pas atij nënshkrimi (të marrëveshjes) dhe vlerësoj se ka qenë i drejtë. Ka opinione të ndryshme, por faktet nuk ndryshojnë”, tha Thaçi.

“Kemi vlerësimet e Komisionit shtetëror të Kosovës, ekspertëve ndërkombëtarë, vlerësimeve të NATO-s, SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe nuk e dimë se me kë tjetër të konsultohemi”, tha Thaçi, duke i ftuar Qeverinë dhe Kuvendin të procedojnë tutje me ratifikim pa vonesa.“Kushdo që kërkon ekspertizë akademike, duke tejkaluar ekspertizat e NATO-s, Uashingtonit e Brukselit, besoj se këto janë të dëmshme. Nëse duam liberalizimin e vizave, duhet të ratifikohet Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në gusht të vitit 2015”, theksoi presidenti Thaçi.

SHPËRNDAJE