Qeveria Hoti “dorëzohet” përballë opozitës – Hamza i PDK-së tregon kushtet për të votuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Qeveria Hoti tashmë është dorëzuar para opozitës, pasi që për disa herë radhazi nuk arriti të kalojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Kjo ka bërë që ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, të shprehet e hapur për futjen e secilës kërkesë të opozitës, në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

E kërkesën e Bajramit, e ka komentuar shefi i deputetëve të PDK-së, njëherësh ish-ministër i Financave, Bedri Hamza.

Në një bisedë për GazetaBlic, Hamza thotë se qeveria nuk po e gjenë forcën me i tejkalu inatet politike dhe me i përkrahë iniciativat ligjore të PDK-së.

Thotë se asnjë nga pikat e kërkuara nga PDK, nuk është futur në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“E para, partitë në pushtet si qeveria e kaluar edhe kjo e tashmja nuk e kanë gjetur forcën që me i tejkalu inatet politike dhe me i përkrahë iniciative ligjore të Partisë Demokratike qe afërsisht 6 muaj po presin në kuvend dhe po pengohen me procedura burokratike edhe pse janë në përputhje me ligjin dhe ata nuk kanë reagu” deklaroi Hamza për Gazeta Blic.

Hamza kritikoi qeverinë për mospjesëmarrje në punimet e seancës, pavarësisht që sipas tij, PDK ishte e hapur për ndryshime.

“E patë edhe atë ditë reagimin në kuvend ku qeveria as që ke, nuk mori pjesë në punimet e seancës edhe pse ne ishim shumë të hapur që mes dy leximeve çka do që ka nevojë me u ndryshu, me i ba pjesë të këtyre iniciativave tona ligjore duke i përfshirë edhe çështjen e trajtimin pa paragjykuar fundin e saj por edhe çështjen e 10% të Trustit, e qeveria po thotë na nuk mundemi me i përkrahë iniciativat e juaja po hajdi ju se i kemi na do iniciativa tona , nëse i kanë numrat, duhet me i pasë sepse janë në pushtet, duhet me reflektu, ne kemi dhënë shembull të mirë si PDK, e kemi tejkalu vetveten, kemi përkrahë edhe vendimin për ndarjet buxhetore, edhe disa marrëveshje ndërkombëtare”, tha Hamza.

Ky është postimi i Ministres Bajrami i bërë para disa ditësh.

Ministria e Financave, si sponsorizuese e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike është e hapur që të inkorporoj nene të veçanta në mes të dy leximeve, që mund të propozohen nga deputetët e opozitës apo edhe nga partnerët e koalicionit.

Është e rëndësishme që ky ligj të kaloj sa më shpejtë dhe qytetarëve e bizneseve t’u ofrohet një mundësi shtesë për tejkalimin e situatës së shkaktuar nga pandemia COVID 19. Të bashkëpunojmë ngushtë për të mirën e qytetarëve tanë.

SHPËRNDAJE