Qytetarët e nxjerrin në pazar online votën, çmimi ndryshon sipas partisë

Zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 6 tetor në Kosovë dikush po do t’i shfrytëzojë për të përfituar para. Kosovarët kanë filluar të japin oferta për shitje të votës, përmes faqeve që përdoren për shitblerje në internet. Nuk dihet nëse është shaka apo e vërtetë, mirëpo qytetarët kanë caktuar edhe çmimet për votën e tyre, e kjo varion edhe nga subjekti politik

Florim Shkreta nga PDK-ja kishte mbajtur 6 muaj burg nën akuzën se kishte vjedhur vota në zgjedhjet e vitit 2017. Madje për këtë ai kishte thënë se është ndier mirë, pasi, sipas tij, është mirë të shkosh në burg ndonjëherë.

Ani pse kishte qëndruar 6 muaj i burgosur, Shkreta kishte thënë se nuk ndihej fajtor dhe se i tërë procesi ndaj tij ishte montuar.

Por, duket se qytetarët e Kosovës nuk po e kanë problem edhe në këto zgjedhje të bëjnë pazar me votën e lirë.

Kjo pasi ueb-faqeve të shitblerjeve në Kosovë u është shtuar edhe një “biznes” i ri. Qytetarët po i qesin votat në shitje, madje për këtë po thonë se presin blerës seriozë.

Çmimi i votës varion nga subjekti politik. Për Partinë Demokratike të Kosovës vota shitet me çmim më të lartë, duke pasuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës e më pas me Lëvizjen Vetëvendosje.

Madje, ka qytetarë të cilët kanë shkruar se shesin më shumë se një votë, e këtë e bëjnë në pajtim edhe me familjarët.

Gazeta Express ka kontaktuar me disa nga qytetarët të cilët kanë ofertuar shitjen e votës në MerrJep, por disa prej tyre nuk janë përgjigjur.

Një qytetar i cili në shpalljen për shitje të votës e ka edhe emrin, qytetin e numrin e telefonit, i ka thënë Expressit se nuk është në dijeni për shpalljen në fjalë.

“Jo unë nuk e kam postu atë shpallje, ndoshta dikush i ka përdorur të dhënat e mia, por unë jo”, ka thënë ai.

Express ka pyetur edhe Policinë e Kosovës se a është në dijeni për këtë çështje, por ajo ka thënë se ende nuk është raportuar ndonjë rast i tillë gjatë këtij viti.

E në vitin 2017 kur edhe janë mbajtur zgjedhjet nacionale në Kosovë, policia ka evidentuar disa raste të keqpërdorimeve përgjatë ditës së zgjedhjeve.

Në këto zgjedhje ishin evidentuar raste të kanosjes ndaj kandidatëve si dhe raste të parandalimit të ushtrimit të së drejtës për të votuar.

“6 raste të cenimit të kandidatëve, 1 rast i parandalimit të ushtrimit të së drejtës për të votuar, 5 raste të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Express.

Përveç rasteve kur qytetarët kishin bërë parregullsi, kishte edhe zyrtarë të cilit punonin në ditën e zgjedhjeve e që e kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare gjatë zgjedhjeve.

Po ashtu, ka pasur raste të keqpërdorimit të së drejtës së votimit, të falsifikimit të rezultateve të votimit e madje edhe të asgjësimit të dokumenteve të votimit.

“Janë katër raste të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, 16 raste të dhënies apo marrjes së ryshfetit në lidhje me votimin, 5 raste të keqpërdorimit të së drejtës së votimit, 4 raste pengim në procesin e votimit. 6 raste të cenimit të fshehtësisë së votimit, 1 rast i falsifikimit të rezultateve të votimit, 12 raste të asgjësimit të dokumenteve të votimit”, thuhet në përgjigjen e policisë. /GazetaExpress

SHPËRNDAJE