Qytetarët e vlerësojnë punën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka

Puna e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili mori këtë detyrë në shtator 2017, po mirëpritet nga qytetarët.

Qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online e kanë vlerësuar Llukën si një kuadër të ri e të shkolluar, ndërsa kanë veçuar si të arritura kryesore nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” dhe sjelljen e një dinamike në këtë të ministri të rëndësishme që mbulon disa sektorë strategjikë të ekonomisë: Energjinë, Minierat dhe Monitorimin e ndërmarrjeve publike.

“Mendoj që është kuadër i ri, kuadër i mirë, i shkolluar”, tha Istref Kelmendi, i cili ka porositur që të punohet në ekip.

“Nëse punojnë në ekip, do t’i ketë punët më mirë edhe Kosova. Vetëm një njëri nuk mundet sado të ketë dije, sepse duhet të ketë edhe përkrahje. Unë shpresoj që ai në mënyrë ekipore punon, zhvillon ka eksperiencat, ka mundësi mi zhvillu eksperiencat botërore”, u shpreh Kelmendi.

Imer Hasanaj tha se nga këto 100 ditë të punës së Qeverisë Haradinaj, ka fituar një përshtypje se ministri i Zhvillimit Ekonomik është “një djalë i angazhuar fort”.

“Në qoftë se termocentrali i ri me gjithë atë kapacitet ndërtohet si këto të tjerat me helmu, është katastrofë. Por, nëse bëjnë diçka që nuk ka helmim, është e nevojshme. Kosova është kah zhvillohet çdo ditë. E vlerësoj shumë mirë, për mua është një ndërmarrje shumë e qëlluar”, u shpreh ky qytetar.

“Unë po mendoj që e kanë bërë një përparim, një progres edhe pse kjo çështja e termocentralit është ndier si nevojë shumë ma herët, derisa ka mbërri tek ministri i fundit. Po është hap i mirë, është punë e mirë e tij”, deklaroi Veton Mehmeti.

“Len përshtypje që është shumë punëtor. Shihen tiparet e tij që ka vend për me qenë ministër”, shtoi ai.

Rifat Deliu, po ashtu, e vlerësoi ministrin Valdrin Lluka si një “njeri të zoti”. Por, ai theksoi se ka shumë sfida, sikur në çdo ministri, për t’u konsoliduar dhe punuar sa më mirë e drejt.

“Dalëngadalë sendet po vijnë tu ra në binarë. Unë shpresoj që shumë shpejt ka me ardhë te një zhvillim i Kosovës. Ka perspektivë, shihen perspektivat në të gjitha drejtimet, mirëpo janë procese të rënda për mu kalu”, u shpreh Veli Islami, qytetar i Prishtinës.

Qëndrim Rexha, i pyetur të japë një përshtypje të tij se cilët janë ministrat më të mirë të kabinetit Haradinaj, ka përmendur tre.

“Në medie çka po lexoj, ministri i Arsimit, Bytyqi; ministri i Shëndetësisë, Ismajli dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Lluka… Definitivisht në rast se e mban fjalën për një propozim që e ka dhënë për ndërmarrje publike, një ndërmarrje që është e mbipopulluar me punëtorë për t’i bartë punëtorët e një ndërmarrjeje tjetër që ka nashta mungesë të stafit, ka qenë shumë ide e mirë që mua më ka pëlqyer; kështu që ishalla e realizon”, tha ky i ri.

SHPËRNDAJE