Rama tallet me Pacollin: Do t’i bëjmë statujë afër Skënderbeut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i shoqëruar nga zëvendës kryeministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, sot vizitoi familjet e prekura nga tërmeti në Krujë dhe Thumanë.

Gjatë kësaj vizite, Pacolli shprehi gatishmërinë e tij për të ndërtuar një ndërtesë brenda tre muajve, si zgjidhje për strehimin e banorëve të prekur nga lëkundjet e fuqishme.

‘Nëse nuk ka pengesa në rastin më të mirë, unë besoj një pallat, 45 banesa nga 80 metra katrorë, për 3 muaj duhet të kryhet’, tha Pacolli.

Një deklarate të tillë, iu përgjigj kryeministri Rama i cili tha se, nëse Pacolli e realizon atë që e tha, do t’i bëjë një statujë afër Skënderbeut.

‘Po na vendos Behgjeti ca kushte. Po i bëjmë edhe një statujë afër Skënderbeut. Duhet të bëhet projekt, projekti-zbatimi’, ia ktheu Rama.

Kujtojmë se tërmeti shkatërrues që goditi Shqipërinë në mëngjesin e 26 nëntorit, la të vdekur 52 njerëz dhe rreth 900 të tjerë të lënduar.

SHPËRNDAJE