Raportet e tensionuara të Bekim Jasharit me Sami Lushtakut, si iu ndanë udhët më 2009

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka folur për përleshjen që ndodhi në Kuvendin Komunal të kësaj komune.

Ka thënë se përleshjen e kanë bërë grupacione të interesave të ngushta personale, dhe se ky grup, është dorë e zgjatur e Sami Lushtakut. Këtë e ripërsëriti edhe sot në Interaktiv të KTV-së.

Ka thënë se nuk ka asgjë kundër Lushtakut, por “politika i ka sjellë në këtë gjendje”.

“Skam asgjë kundër e keq me të, kështu qenka politika”, tha ai.

Jashari tha se me kërkesë të qytetarëve ka hyrë në mesin e Sami Lushtakut e Nuredin Lushtakut, për të parin e kësaj komune.

“Deri në vitin 2009 Samia e ka pas përkrahjen time e të familjes, sepse kemi menduar se po punon mirë. Pastaj kanë filluar ndryshimet. Ka munguar transparenca e llogaridhënia e tij, sidomos në mandatin e tij të fundit”, tha Jashari.

Ka thënë se Sami Lushtaku disa herë i ka thënë se do ta përkrahë, por se sipas tij, kjo nuk është e vërtetë në realitet.

“Më ka thënë disa herë, madje edhe sot më tha se do ta kem përkrahjen e tij, por po del që s’ka qenë e tillë. E ka thënë këtë veç para mediave”, tha Jashari.

Jashari gjithashtu tha se shumë vendime të Lushtakut nuk bëhen nga ai, madje disa ide s’janë të tij. Tha se ka njerëz të vet në Skenderaj, më të vogël se Lushtaku, që punojnë për të.

Ai tha se s’ka arsye të jetë në rivalitet me Lushtakun.

Tutje, Jashari ka komentuar edhe përplasjen për buxhetin në seancën e Kuvendit Komunal të Skenderajt.

“Kam menduar se kur të shkojë aty do të gjej punë me hallet e qytetarëve, por më ka dalë e kundërta, më ka dal më shumë punë me njerëzit aty brenda. Ne kishim seancën për buxhetin, ku për herë të parë kemi pasur 14 dëgjime publike. Është për herë të parë një buxhet që buron nga nevojat e qytetarëve. Mu ata asambleista që nuk kanë gjetur mundin të marrin pjesë në dëgjime buxhetore, kanë bërë zhurmë për buxhetin në atë seancë”, ka thënë Jashari.

Ai ka thënë se është fyer nga asamblisti Malsor Bejta, dhe kurrsesi s’ka ndodh e kundërta.