Reçeta e Cekës- Lakror me miell misri

Me spinaq:1 kg spinaq, 500 gr miell misri, 200 gr gjalpë ose vaj, 300 gr djath ose gjizë, 100 gr mazë ose ajkë, 2 vezë, kripë sipas shijes. mSpinaqi lahet mirë, pritet hollë, shtohen djathi i troshitur, gjysma e mazës, vezët e tundura dhe kripë sipas shijes. Mielli sitet, më tepër se gjysma e tij hidhet në tenxhere. Hidhet 100 gr gjalpë i shkrirë, kripë dhe aq ujë, sa të gatuhet një brum i trashë, por i derdheur. Masa derdhet në tepsi të lyer me yndyrë. Mbi derdhet me kujdes spinaqi i përgaditur dhe rrafshohet në tërë sipërfaqen. Mbi spinaq, me sitë ose dorë, hidhet mielli i mbetur sa ta mbulojë sipërfaqen. Spërkatet me ujë sa të laget mielli. Mbi hidhet gjalpë ose vaj dhe futet në furrë të nxehtë që të piqet gjersa të skuqet në sipërfaqe. Lyhet me mazë dhe prap futet në furrë të çkyqur gjersa të shkrihet maza. Pritet në katrorë dhe shërbehet i nxehtë. Në të njëjtën mënyrë, përgaditet lakrori me hithra të njoma. ME PRESH: 1 kg presh, 400 gr miell misri, 200 gr gjalpë, 2 lugë ajkë, 100 gr djath, 1 vezë, 1 gotë qumësht, kripë. Preshtë pastrohen dhe priten imët. Fërgohen me një lugë gjalpë gjersa të zbuten. Hidhet qumësht, veza e tundur dhe kripë sipas shijes. Mielli sitet dhe më tepër se gjysma hidhet në tenxhere. Shtohet gjalpë, kripë dhe aq ujë, sa të gatuhet një brum i trash por i derdhur. Në tepsi të lyer me yndyrë, derdhet masa e brumit të përgaditur. Mbi hidhen preshtë e zbutur dhe rrafshohen në tërë sipërfaqen. Mbi presh hidhet miell me sitë ose dorë, sa të mbulohen preshtë. Spërkatet me qumësht ose ujë, sa të laget i gjithë mielli. Mbi spërkatet me gjalpë të shkrirë dhe futet në furrë të nxehtë që të piqet, gjersa të skuqet në sipërfaqe. Lakrori i nxehtë, lyhet me ajkë, pastaj pritet në katrorë dhe shërbehet i nxehtë.

SHPËRNDAJE