Reshitaj i kundërpërgjigjet ashpër Pacollit

Edhe deputetja tjetër e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli e cila në një emision televiziv përmendi shërimin e nënës së ish-kryeministrit Haradinaj, në një vend tjetër jashtë Kosovës.

Reshitaj, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se të merren me nënën e dy dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë, është paradoks dhe tronditëse

“Në 21 vjetorin e rënies heroike të Gjeneral Shkëlzen Haradinaj, të dëgjosh nga një deputete e Kuvendit të Kosovës, Kuvend ky që ekziston fal gjakut të derdhur të Shkëlzenit, Luanit e shumë heronjve tjerë, se nëna Rukë qenka dërguar për shërim në Shqipëri, vendin nga ku bijtë e saj u nisën për lirinë tonë, është sa paradoks aq edhe tronditëse”, ka shkruar Reshitaj.

Ajo ka thënë tutje se në vend që të mbjellët urrejtje, do të ishte më e udhës që deputetja Pacolli, të shkonte e të vizitonte nënë e Shkelzen e Luan Haradinajt.

“Sa mbillni urrejtje me verbësinë e ambicieve patologjike, do kishte qenë më e shëndoshë sikur të ishit kujtuar që si deputete, ta kishit vizituar ndonjëherë, sidomos në këto ditë përvjetorësh, nënën Rukë, nënë e tre djemve të vrarë dhe dy të plagosur. E ndoshta atëherë do reflektonit dhe ta kuptonit nga përjetimet dhe dhimbjet e plagëve të pashëruara të shpirtit të saj, edhe gjendjen shëndetësore të kësaj nëne, si dhe paradoksin e të marrurit me vendshërimin.”, ka shkruar ajo.

Kjo deklaratë e deputetes së Vetëvendosjes ka nxitur reagime të ashpra në AAK.

Deputeti i Aleancës, Rasim Selmanaj e ka quajtur skizofrene politike e të pashpirt Pacollin.

SHPËRNDAJE