Rifillon fushata në Podujevë, të gjithë kandidatët thonë që do të fitojnë

Presidenti Hashim Thaçi, ka caktuar të dielën e 29 nëntorit, si datën ku do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.

Me t’u bërë e ditur ky fakt, kanë rifilluar fushatat e kandidatëve.

Nexhmi Rudari i LDK-së, Shpejtim Bulliqi i LVV-së dhe Naim Fetahu i PDK-së, po synojnë që të marrin timonin e Podujevës.

Të tre këta, po i ndajnë partitë politike dhe gara zgjedhore, por po i bashkon “siguria” që do të dalin fitues.

Sikurse Rudari, edhe Bulliqi dhe Fetahu, me t’u kumtuar lajmi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, u shprehën të bindur në fitore.

Madje, Nexhmi Rudari, kandidat i LDK-së për kryetar të Podujevës, tha për Gazeta Blic, se pret fitore pa balotazh.

“Ne jemi të gatshëm kurdo që të mbahen ato. Madje, kemi qenë të gatshëm qysh në fillim të këtij viti dhe do të jemi gjithmonë. Sipas sondazheve që ne i kemi dhe matjeve në teren, do të fitojmë pa balotazh. Për këtë tashmë jam i bindur”, i ka thënë Rudari Gazetës Blic, gjatë ditës së djeshme.

Në anën tjetër, Shpejtim Bulliqi, thotë se me 29 nëntori qytetarët do të frymojnë më lirshëm sepse Erdhi Dita për Komunën!.

“Zgjedhjet në Komunën e Podujevës mbahen më 29 nëntor. Nga 29 nëntori qytetarët do të frymojnë më lirshëm sepse Erdhi Dita për Komunën! Urime gjithë qytetarëve!”, ka shkruar Bulliqi.

Se do të dalë fitimtar në këto zgjedhje, po e thotë edhe Naim Fetahu i PDK-së.

Në një shkrim të tij, Fetahu thotë se llapjanët janë lodhur nga keqqeverisja 20 vjeçare dhe se kësaj radhe ata do vendosin për ndryshim.

Në fund, Fetahu thekson se qytetarët e Podujevës meritojnë më mirë.

“Të dashur qytetarë të Podujevës, Presidenti tani më ka shpallur datën 29 nëntor kur do të mbahen zgjedhjet në Podujevë. Rruga drejt fitores na u ndërpre në muajin Mars, për shkak të pandemisë COVID-19, por tani më fitorja jonë nuk ka dilema. Fitorja ime si Naim, nuk është fitore vetëm e PDK-se si parti, por do të jetë fitore e gjithë qytetarëve të Podujevës, sepse ata janë lodhur me keqqeverisjen 20 vjeçare, prandaj ata meritojnë më mirë”, ka shkruar kandidati i PDK-së për Podujevën, Naim Fetahu.

Podujeva, ka shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës, Agim Veliu.

Veliu e kishte lënë drejtimin e Komunës së Podujevës, për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme, në Qeverinë Kurti – funksion të cilin e ushtron edhe tani, ku në drejtim të Qeverisë, është Avdullah Hoti.

Këto zgjedhje ishte dashur të mbahen qysh në mars të këtij viti, por që ato janë shtyrë, për shkak të pandemisë COVID-19.

Vendimin për shtyerjen e tyre, e ka marrë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili gjatë ditës vendosi që këto zgjedhje të mbahen me 29 nëntor.

Në anën tjetër, Komunë e Mitrovicës së Veriut, ka mbetur pa kryetar, për shkak që ish-kryetari, Goran Rakiç, la drejtimin e kësaj komune, për t’u bërë zv.kryeministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës.